Aksident tragjik në Kryebushat të Shkodrës: Vdesin dy turistë polakë. Erdhën për të zbuluar Shqipërinë turistike
Ora 13:30 Kishin ardhur për të zbuluar Shqipërinë turistike. Udhëtimi i dy turistëve polakë u ndërpre pranë Shkodrës
Ishin nisur nga Lezha në drejtim të Shkodres, për ta vijuar udhëtimin e tyre në zbulimin e Shqipërisë turistike, por rezultoi të ishte udhëtimi i fundit.
Tragjikisht dy turistët nga Polonia, Waldemar Makowski 45 vjeç dhe Marta Makowska 42 vjeçe, gjeten vdekjen në një aksident rrugor në kufirin që ndan Shkodren me Lezhën.
Motorri me të cilin po udhëtonin u përplas me një automjet tip Golf 5 që drejtohet nga 27 vjeçari me inicialet Gj. D nga Puka. Goditja ishte fatale për çiftin polak, duke gjetur vdekjen në vend, ndërsa pamjet tregojnë se përplasja ka qënë e fuqishme, pasi motorri i tyre është shkatërruar plotësisht.
Drejtuesi i automjetit, të cilin rezulton ta ketë marrë me qira në Shkoder, ju nënshtrua testit të alkoolit, ku rezultoi i pastër.
Ai u shoqërua në komisariat ku do të merret në pyetje mbi rrethanat e këtij aksidenti. Në vendin e ngjarjes është gjetur nga policia edhe një pajisje filmimi “Go pro” që përdorej nga turistët.
Ajo do të ekzaminohet për të parë nëse e ka filmuar momentin e aksidentit, ç’ka do të ishte një ndihmë e madhe për uniformat blu në përcaktimin e plotë të dinamikës së këtij aksidenti.
Materialet i janë referuar tashmë prokurorisë së Shkodres për veprime të metejshme, ndërsa grupi hetimor në konkluzionin paraprak, e lidh aksidentit me mos respektim të rregullave të qarkullimit.
Ora 13:13 Aksidenti tragjik në Kryebushat: Viktimat një burrë dhe një grua. Policia ka në dorë provën kyçe

Rreth orës 11:20, në rrugën nacionale Shkodër - Lezhë, në vendin e quajtur “Kryebushat” të Shkodrës, një automjet tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin D. Gj., 27 vjeç, është përplasur me një motomjet, në të cilin udhëtonin 2 shtetas të huaj polakë (turistë).
Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit, shtetasi Waldemar Makowski 45 vjeç dhe pasagjerja në motomjet, shtetasja Marta Makowska 42 vjeçe.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi D. Gj., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër, për veprime të mëtejshme procedurale. Nga kryerja e alkool-testit ndaj drejtuesit të automjetit, shtetasit D. Gj., ka rezultuar se nuk kishte konsumuar alkool.
Ora 12: 21 - Humbin jetën dy turistë polakë, pamjet e para të aksidentit të rëndë në Kryebushat të Shkodrës
Ora News sjell pamje nga vendi ku ndodhi aksidenti tragjik në kryebushat të Shkodrës ku humbën jetën dy turistë polakë.
Mësohet se ata po udhëtonin me motor kur janë përplasur me një makinë tip golf 5.
Dy turistët humbën jetën pak minuta pas aksidentit të rëndë.
Përplasja ka qenë e rëndë duke parë dhe dëmet që janë shkaktuar.
Ora 11: 52 Aksident i rëndë në Kryebushat të Shkodrës, vdesin dy turistë polakë
Dy turistë u përfshinë një një aksident rrugor të ndodhur paraditen e sotme në Kryebushat të Shkodrës.
Mësohet se ata po udhëtonin me motor kur janë përplasur me një makinë.
Nga informacionet e para gjëndja shëndetësore e dy turistëve ishtë e rëndë dhe u dërguan për tu dhënë ndihma e parë në spitalin e Shkodrës. Pas disa minutash u mësua se ndërruan jetë.
Ora News mëson se dy turistët janë shtetas polakë, dhe janë goditur nga një makinë tip "Golf 5".
Turistët po vizitonin disa qytetet të vendit. Ndërkohë drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat.


