Të pasigurt edhe në komisariate/ Ahmeti: Policia në situatë kritike, veprimet e punonjësve të policisë lënë për të dëshiruar

Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme(4 maj), ku 31-vjeçari Ilvi Meta, vrau veten brenda komisariatit të policisë.

Ish-shefi i Policisë, Krenar Ahmeti, në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, tha se policia është në një situatë kritike për aq kohë sa nuk merr në mbrojtje jetën e qytetarit.

Nisur nga vetëvrasja e 31-vjeçarit në komisariat, Ahmeti u shpreh se në momentin që një person shoqërohet në komisariat ndiqen disa procedura.

Krenar Ahmeti: Policia ka procedura standarte të mirë shkruara. Në momentin që shoqërojmë një qytetar dhe nuk marrim në mbrojtje jetën e tij atëherë do të thotë se policia është në një situatë kritike. Në momentin që policia shoqëron një person ka  proceduar standarde, që nga shoqërimi, që nga kontrolli, mënyra se si do të ruhet e të gjitha. Në momentin që ka humbur jetën një person në institucion, janë shkelur mbi 20 procedura.

Këto janë situata që i kushtojnë shumë policisë. Policia bën shumë punë, por ndonjëherë një mos veprim i saktë, apo moszbatim i një procedure, ndodhin ngjarje të rënda.

Ndër të tjera ai tha se policia duhet të përdorë edhe prangat në mënyrë që të shmang situatat si në rastin e 31-vjeçarit. Më tej ai theksoi se veprimet bëjnë punonjësit e policisë lënë shumë për të dëshiruar.

Krenar Ahmeti: Në polici qytetari duhet ta ndjejë veten të sigurt, pavarësisht se mund të ketë konsumuar vepra penale. Punonjësi i policisë nuk ka vetëm shkopin, ka dhe prangat. Prangat vendosen që ta neutralizosh tjetrin. E ke detyrim që ta marrësh në mbrojtje jetën e të shoqëruarit. Është e disata herë që qytetarët në veprim me punonjësit e policisë po humbin jetën.

Veprimet që bëjnë punonjësit e policisë lënë shumë për të dëshiruar, ata nuk mbrojnë veten e si mund të më mbrojnë mua.