“Negociatat me opozitën për presidentin të sinqerta” Gjiknuri 'sulmon' Metën: Kishte plane politike për periudhën pas zyrës

Damian Gjiknuri, një nga tre anëtarët e grupit negociator për zgjedhjen e presidentit, në një  deklaratë për mediat tha se negociatat e PS me opozitën për diskutimet e zgjedhjes së kreut të shtetit janë të sinqertë.

Në fjalën e tij, ai tha se kanë shprehur dakordësi për të diskutuar profilin e presidentit me opozitën, ndërkohë që kjo e fundit është e mirëpritur që të propozojë emra për të parin e shtetit.

Damian Gjiknuri: Në momentin që PS bën thirrje për një dialog, negociata është e sinqertë. Dialogu shfaqet edhe me veprime konkrete.  Kemi shprehur dakordësin për të dëgjuar dhe për të diskutuar profilin dhe pse jo për të dëgjuar edhe ndonjë emër.  Veprimet e PS kanë qenë në funksion të sinqeritetit. Në momentin që ulemi dhe diskutojmë për një profil janë të gjitha mundësitë që të diskutojmë numrin e kandidatëve të cilit i përshtaten këtij profili.

Ai tha se në negociata do të ketë parime. Gjiknuri ka sulmuar dhe Metën duke thënë se ky i fundit kishte plane politike për periudhën kur do të linte mandatin.

Damian Gjiknuri: Parimet në negociata janë është të jetë një njeri pa plane politike siç ishte rasti i Ilir Metës. Ai kishte plane për periudhën pas zyre. Emri do të dalë pasi të biem dakord për profilin më të mirë të mundshem që meritojnë shqiptarët.