Dënohen me burg dy shqiptarët e kapur në "shtëpinë e barit" në Britaninë e Madhe. Njërin prej tyre e tradhëton kanaçja e birrës
Jetmir Metushi, shqiptari i kapur në Britaninë e Madhe, u dënua me 5 vite burg nën akuzë për kultivimin e kannabisit. Ai u arrestua në 5 shtator të 2021, pas një bastisjeje të policisë së Leeds-it ku brenda banesës iu gjetën 402 bimë kannabisi me një vlerë në treg prej 200.000 paund.
Telefonat celularë të sekuestruar nga Jetmir Metushi, treguan se ai ishte i përfshirë në gjetjen e shtëpive të përshtashme për të kultivuar kannabis. Ai gjithashtu siguronte furnizimin me fidanë dhe me mjete të tjera të nevojshme si dhe rregullimin e personave që do merreshin me kultivimin e bimëve, duke i mësuar se si funksiononte i gjithë procesi i rritjes së tyre, shkruan media britanike.
Në seancën gjyqësore Metushi u shfaq në video live së bashku me Aleks Gjinin, i cili punonte si kopështar në fermën e kannabisit. Gjini u dënua me 2.5 vite burg.
Metushi pranoi në gjykatë akuzat e ngritura ndaj tij.
Shqiptari kishte ngritur dy ferma kannabisi, njëra prej të cilave ishte bastisur nga policia më 1 qershor 2020. Oficerët gjetën brenda shtëpisë 73 bimë kannabisi të ndara në tre dhoma të rritjes, pajisje për ndricimin dhe një paisje që ndalonte matësin e energjisë elektrike.
AND-ja e gjetur në një kanaçe birre dhe tek bishtat e cigareve çoi në identifikimin e Metushit.
Avokati i tij tha se Metushi erdhi në Britaninë e Madhe dhe për 2 vite punoi në një fabrikë ndërtimi nga ku u pushua nga puna gjatë pandemisë. Pas kësaj ai filloi të punonte si kopështar në fermën e kannabisit që të shlyente borxhit që kishte marrë për të paguar rrugën.
Metushi, sipas avokatit të tij, në Shqipëri kishte punuar në bujqësi ku kishte lënë dhe gruan me dy fëmijët e tyre.
