KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Durrësit. Arjan Ndoja
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja, ndaj të cilit iu bë atentati në nëntor 2019, ku ai mbeti i plagosur ndërsa shoferi i tij Andi Maloku, mbeti i vrarë.
Vendimi u dha sot (6 maj 2022) nga trupi gjykues i kryesuar nga Olsi Komici, Xhensila Pine anëtare dhe Firdes Shuli relatore.
"Pas shqyrtimit vendosi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Arjan Ndoja bazuar në pikën 5 të nenit 61 të ligjit 84/2016"
Në kuadër të vetingut, Ndoja u hetua për të tri kriteret dhe gjatë vlerësimit të figurës së tij u konstatua papërshtatshmëri të figurës pasi dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penalë gjatë detyrës së tij.
Pas vendimit, Arjan Ndoja la të kuptohej se e priste shkarkimin ndërsa shtoi se do ti adresohet Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
"Do pres një biletë për Strasburg. Pas bubullimave shiu pritet" tha ai.
Në seancën paraprake KPK evidentoi se Arjan Ndoja ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia duke mbajtur dosjet që hetonte në makinë, të cilat u gjetën pas atentatit ku prokurori mbeti i plagosur në vitin 2019. Po kështu element penalizues i gjetur ishte shoqërimi i prokurorit me persona me precedent penalë dhe të dënuar, përfshirë edhe shtetasin me të cilin ndodhej në makinë ditën e atentatit më 1 nëntor 2019.
Edhe vëzhguesi i ONM-së Theo Jacobs, e quajti të dyshimtë figurën e Ndojës, pasi e cilësoi të habitshëm faktin se ai kishte deklaruar nga 2005 deri në 2007 një fitim prej 250 mijë euro në vit. As në Belgjikë, tha Jacobs, avokatët më të mirë nuk fitojnë kaq. Duke iu referuar atentatit ku mbeti i vrarë shoferi i Ndojës, përfaqësuesi i ONM e pyeti prokurorin se përse duhej të paguante një person tjetër për ti drejtuar automjetin.
"Ju shkoni e dilni xhironi me persona të gabuar. Përse ju duhet një shofer privat që e paguani nga xhepi? Shqiptarët dinë shumë për personat që ju shoqëroheni por ata s’janë hetuar kurrë! Kur futeni në sistemin e drejtësisë, ju mendoni se keni më shumë të drejta se qytetarët. Por e vërteta është ndryshe. Ju duhet të keni më pak. Ju duhet të qëndroni larg njerëzve që kanë konflikte me ligjin. Ju jeni inteligjent dhe i zgjuar, do të duhet të ishit një aset i këtij vendi. Të qenit prokuror e di që është e vështirë por s’është punë të jeni në xhiro e me kontakte. E vetmja punë dhe ju se keni respektuar. E për këtë s’do të doja kurrë t’ju kisha në skuadër", deklaroi Jacobs në seancën e 29 prillit.
