Konfiskohen 25 pasuri të deputetit demokrat Kasem Mahmutaj pas hetimeve të OFL-së ndaj të vëllait

Apartamente, troje, tokë arë dhe një automjet në pronësi të deputetit të PD në Berat Kasem Mahmutaj janë konfiskuar nga Gjykata e Posaçme. Vendimi është marrë në shkurt të këtij viti dhe është bërë publik së fundi. Urdhri i konfiskimit për një total prej 25 pasurish ka ardhur pas hetimeve të Operacionit Forca e Ligjit ndaj vëllait të deputetit Gazmend Mahmutaj, i cili rezultonte i dënuar në Itali për trafiqe.

Një vendim i dhënë nga Gjykata e Posaçme në Tiranë më 22 shkurt 2022 është bërë publik së fundi pasi ka vendosur konfiskimin e pasurive të deputetit të PD në Berat, Kasem Mahmutaj dhe familjarëve të tij. 

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për konfiskimin e pasurive të deputetit demokrat Kasem Mahmutaj dhe vëllezërve të tij pasi ka arritur në përfundimin se zotëruesit e tyre nuk kanë pasur burime të ligjshme dhe për rrjedhojë asetet janë të krijuara nga veprimtari kriminale.

Hetimi fillimisht ka nisur nga Operacioni Forca e Ligjit për pasuritë e Gazmend Mahmutaj, pasi vëllai i deputetit, rezultonte i dënuar për akuzën shfrytëzimit të prostitucioni në Itali.

Çështja u gjykua fillimisht nga gjyqtari Bib Ndreca por pas largimit te tij nga sistemi, me short dosja përcaktoi gjyqtaren Etleva Deda, e cila në përfundim ka vendosur konfiskimin për 22 pasuri të tre vëllezërve Mahmutaj, mes të cilave edhe disa prona të deputetit Kasem Mahmutaj, i cili ka qenë dy herë kandidat për kryetar Bashkie në Urën Vajgurore dhe në Berat si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak në tri Legjislatura.

Gjykata ka urdhëruar kalimin në favor të shtetit për dy apartamente, dy sipërfaqe trualli dhe are dhe një automjet, të cilat janë gjetur në emër të Kasem Mahmutajt, ndërkohë që në total numri i aseteve të konfiskuara në emër të familjarëve të deputetit është 25.

Gazmend Mahmutaj me emrin e ndryshuar në Eduart Toska rezulton të jetë shpallur fajtor nga Gjykata e Veronës në nëntor 1993.

Ky vendim për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit është konvertuar në Shqipëri me tetë vjet burg.

Në vitin 2020 pasuritë e të dënuarit dhe familjareve të tij u kontrolluan nga OFL e më pas SPAK dërgoi në gjykatë kërkesën e konfiskimit. 

Hetimet janë kryer nga dy prokuorët Edvin Kondili e Vladimir Mara, ndërkohë që çështja është në shqyrtim në Gjykatën e Posaçme të Apelit.