KLP cakton zëvendësuesin e Elisabeta Imeraj. Hapet gara për kreun e Prokurorisë së Tiranës

Një ditë pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që shkarkoi nga detyra drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj , Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur për të caktuar drejtuesin e përkohshëm deri në zgjedhjen e drejtuesit të emëruar.

Në mbledhjen e zhvilluar në orën 12:00 të 28 prillit, KLP ka miratuar emërimin e përkohshëm të Arenc Çelës me propozim të komisionit të zhvillimit të karrierës.

Fillimish KLP vendosi që prokurorit t’i pezullohet edhe komandimi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe me vota unanime u emërua përkohëshit në krye Prokurorisë së Tiranës.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Gjithashtu po në këtë mbledhje KLP ka vendosur të hapë garën për drejtuesin e ri të emëruar kësaj prokurorie.

Kandidatëve u është lënë afat dy javë për të shprehur interesin me shkrim dhe me pas do të jetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë që do të vendosi se kë do të emëroj.

Elisabeta Imeraj fillimisht u komandua në drejtimin e prokurorisë së kryeqytetit nga ish kryeprokurorja Arta Marku dhe më pas u emërua në nga KLP, pasi u konfirmua në detyrë nga komisioni i pavaruar i kualifikimit.

Pas shkarkimit të saj në shkallën e dytë të vettingut, KLP ka hapur tashmë garën. Arenc Çela ka qenë më parë prokuror tek Krimet e Rënda ku ka marrë pjesë në hetimet e dosjes së ish ministrit Saimir Tahiri.