Kosova "fut në sherr" Serbinë me Rusinë
Pas alibisë së Kosovës nga presidenti Putin në përpjekje për të legjitimuar aneksimin e Krimesë dhe pavarësinë e shteteve separatiste në lindje të Ukrainës ka ardhur edhe reagimi i Serbisë, të cilët janë të shqetësuar se Moska po ndryshon pozicionin për Kosovën.
Serbia i është trembur deklaratës së presidentit Putin i cili u bazua te Kosova për të njohur dy shtetet separatiste në rajonin e Donbasit si shtete të pavarura nga Ukraina.
Ministri i Brendshëm serb, Aleksandër Vullin shprehu pakënaqësi për deklaratën e kreut të Kremlinit, megjithëse thotë se është besimplotë se pozicioni i Rusisë për Kosovën nuk do të ndryshojë.
Vulin: Rusia ka pasur mundësi që ta ndryshojë qëndrimin e saj për Kosovën dhe nuk besoj se do ta bëjë tani. Nuk jam i kënaqur me presidentin Putin kur përmendi Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shtetin e rremë të Kosovës, por jam i kënaqur me deklaratat e tij ndër dekada lidhur me Serbinë.
Presidenti Putin edhe në takimin që pati me kreun e OKB-së, Antonio Guterres i tha se Luhansk dhe Donetsk i njohu si entitete të pavarura nga Ukraina duke u bazuar në precedentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Putin përmendi edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës asnjë shtet nuk është i detyruar të kërkojë leje për të deklaruar sovranitetin e tij.
