Tentojnë të vrasin djalin e pronarit të hotel "Voloreka": Autorët ikin, arrestohen ndihmësit
Pesë persona janë arrestuar ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim në lidhje me sulmin me armë zjarri ndaj djalit të pronarit të hotelit “Voloreka”, në Pogradec, godinë e cila u bë shoshë me plumba dy vite më parë.
Ngjarja u shënua pasditen e 25 prillit 2022, ndërsa sot (26 prill) policia e Korçës informoi se janë shpallur në kërkim dy autorët e vrasjes së mbetur në tentativë ndërsa janë arrestuar ata që ndihmuan autorët të arratiseshin dhe tentuan të fshehin krimin.
Në kërkim
-Firdeus Berberi
- Greisi Maxhari
Sipas policisë së Korçës, Firdeus Berberi, 21 vjeç dhe Griseld Maxhari 22 vjeç "gjatë një konflikti, tentuan të vrisnin me armë zjarri tip pistoletë Johan Muçllarin, 22 vjeç"
Ata janë shpallur në kërkim për veprat penale "Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Të arrestuar në lidhje me ngjarjen e djeshme, në Pogradec janë shtetasit:
-Fatjon Bono;
-Kristian Kresto;
-Hekuran Gjona;
-Ledion Shkullaku;
-Rudi Shaho
Pesë të arrestuarit akuzohen për veprat penale "Moskallëzimi i krimit", "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" dhe "Përkrahja e autorit të krimit"
“Nga provat e grumbulluara rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me automjete dhe me veprime aktive, dyshohet se kanë ndihmuar autorët e dyshuar të ngjarjes, që të largohen nga vendngjarja” informoi sot policia e Pogradecit.
Gjithashtu policia njofton se janë sekuestruar 3 automjete që janë përdorur nga autorët, në këtë ngjarje.
Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua automjeti tip "Volksëagen Golf", i cili u përdor nga Firdeus Berberi në ngjarje si dhe automjetet tip "Benz" dhe "BMW X5", me të cilët janë ndihmuar dy autorët të largoheshin nga vendi I ngjarjes.
Johan Muçllari është djali i pronarit të hotelit "Voloreka" në Tushemisht që sulmua me armë kallashnikov në 8 gusht 2020. Hetimet paraprake bëjnë me dije se ngjarja e së hënës ka lidhje pikërisht me këtë sulm ndaj hotelit që është në pronesi të Jetmir Muçllarit, babai i Johanit.


