Blejmë ujë për Veliajn, miliona të tjera tender për stafin e Bashkisë. Qytetarëve u reklamohet uji i çezmës

"Ky është uji i Tiranës, sa i mirë. Pini ujë Tiranë dhe ti Jorida (Tabaku) si tironse duhet të pish ujë tirane."

Por teksa kryeministri Edi Rama deklaron se uji që vjen nga çezmat është i pijshëm, duket se është vetë kryebashkiaku i Tiranës që mendon të kundërtën.

Pikërisht në fillim të muajit prill është kërkuar që për bashkinë e Tiranës të blihet jo pak por 22 milionë lekë ujë të pijshëm i ambalazhuar për stafin e këtij institucioni.

Dhe ky nuk është prokurimi i parë. Vetëm një vit më parë u tenderuan po rreth 22 milionë lekë për ujë të ambalazhuar, ndërsa në vitin 2020 u shpenzuan 16 milionë lekë.

Nuk është e qartë nëse fondi në rritje vjen nga konsumi i shtuar, mungesa e ujit të pijshëm në rubineta apo nga rritja e çmimeve. Por të paktën në tre vite të njëpasnjëshme bashkia e Tiranës që reklamon ujin në rubineta, e blen të ambalazhuar.

Edhe vetë qytetarët shprehen se ujin që rrjedh nga çezmat e tyre nuk e konsumojnë dhe se detyrohen që ta mbushin në Dajt, ose ta blejnë.

"Na vjen autoboti, e blejmë. Me ujin e çezmës lajmë enët, lahemi vetë."

"Ujin e çezmës nuk e pi se nuk është i mirë."

"Nuk e pi se s'bën."

"Jo nuk e pi."

"Se përdorim fare, janë tubat e ndryshkur, vjen me ngjyrë. Unë jetoj në Kinostudio."

Madje veprimin për konsumin e ujit nga rubineti në Tiranë e konsiderojnë propagandë.

Prej 8 vitesh premtimi për furnizimin e Tiranës me ujë të pandërprerë 24 orë është i pandashëm.

Madje për këtë u rrit dhe çmimi në faturë për konsumatorët, por ende realizimi mbetet larg.

Nga ana tjetër në parlament po kërkohet dhe një tjetër borxh prej 80 milionë eurosh për të njëjtin premtim.