Ndoka: E domosdoshme reforma territoriale, të paktën të ketë 100 bashki në vend

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, është shprehur se reforma territoriale është e domosdoshme për  vendin dhe për interesat e qytetarëve.

Në një intervistë për Ora News, Ndoka tha se duhet të kemi bashki që të kenë autonomi dhe jo të marrin urdhra nga Kryeministri.

Nard Ndoka: Reforma territoriale është e domosdoshme për vendin për interesin e qytetarëve, për interesin publik, për interesin politik. Basha i ishte futur pazareve me ndarjen territoriale me Bashki. Sapo humbi zgjedhjet nxori kartat e zgjedhjeve lokale duke joshur disa kandidatë për kryetar bashkisë.

Kjo kartë ju dogj. Basha tani është një politikan i dështuar dhe në njëfarë mënyre e ka çliruar mundësinë që ne të kemi një reformë territoriale. Një reformë territoriale është e domosdoshme. Një reformë territoriale me standarde që ne të vendosim se si duhet të jenë bashkitë e vendit. Duhet të kemi bashki që të kenë autonomi, të kenë një fond të pakushtëzuar. Të kenë mundësi për vendimarrje dhe jo  çdo gjë t’I diktohet nga kryeministri.

Ai tha se është e domosdoshme të ketë 100 bashki në vend, ndërsa shton se reforma territoriale duhet të ketë vëmendje absolute të opozitës dhe të mazhorancës.

Nard Ndoka: Mendoj se është i domosdoshëm rritja e numrit të bashkive. Të paktën të jenë 100 bashki. Kërkon një vëmendje absolute edhe të mazhorancës dhe opozitës.

Ndoka është ndalur sërish te PD, duket thënë se mes tij dhe zyrtarëve të PD, s;ka pasur komunikime zyrtare por informale.

“Komunikime zyrtare jo, ndërsa komunikime informale po.”- tha ai.