Ish-sigurimsat edhe në drejtësinë e re, "rrjeta" e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve kap 14 zyrtarë

Edhe pse kanë kaluar 31 nga përmbysja e regjimit komunist, në Shqipëri ende ka zyrtarë të lartë që kanë qenë pjesë e strukturave, ose bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Në raportin e saj për vitin 2021 Autoriteti i Hapjes së Dosjeve deklaron se aktualisht janë 14 zyrtarë të lartë që nga sistemi i ri i drejtësisë, politikës dhe deri në policinë e shtetit që kanë shërbyer gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

14 zyrtarë të lartë që nga sistemi i ri drejtësisë, politikë, e deri në policinë e shtetit, figurojnë se kanë qenë të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit.

Kjo e dhënë bëhet e ditur në raportin vjetor të punës së Autoritetit të Hapjes së Dosjeve për vitin 2021, i cili thekson se vitin e kaluar janë verifikuar 349 zyrtarë nga 214 në vitin 2020, ku 14 prej tyre figurojnë si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën komuniste.

Ndërkohë nga viti 2017, kur dhe nisi procesi i hapjes së dosjeve të sigurimit, kanë kaluar filtrin e verifikimit të pastërtisë së figurës 2 189 zyrtarë, kandidatë për deputetë e kryetarë bashkish.

Nga ky filtër kanë dalë të pastër 2 118 kandidatë, ndërsa 71 rezultojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtorë, ose anëtarë të strukturave të ish-Sigurimit si edhe ish-hetues, ish-prokurorë ose ish-anëtarë trupi gjykues në procese politike.

Në organet e reja të drejtësisë janë verifikuar gjithsej nga 2017, 578 kandidatë nga të cilët 13 kanë rezultuar me probleme.

Për vetingun në Polici kanë kaluar filtrin 94 kandidatë dhe 6 prej tyre kanë qenë bashkëpunëtorë ose anëtarë të strukturave të ish-Sigurimit.

Ndërsa në politikë, sipas raportit për zgjedhjet e vitit të kaluar, 161 kandidatë kanë paraqitur kërkesën për verifikim dhe nuk ka të dhëna për politikanë me probleme.

Ndërsa në 4 vite janë në total 446 subjekte politike, nga të cilët 5 kandidatë për deputetë figurojnë në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtorë.

Po ashtu janë legjitimuar 41 kërkesa të paraqitura nga studiues/media, për njohjen me dokumente të veçanta, për qëllime kërkimore shkencore dhe në funksion të edukimit qytetar.