Rikthehet lufta e Volorekës, autorët e 100 plumbave në hotel plagosën të birin e pronarit
Në Pogradec mbeti i plagosur në një sulm me armë zjarri djali i pronarit të hotelit “Voloreka”, godinë e cila u bë shoshë me plumba dy vite më parë. Njëri nga dy autorët të shpallur në kërkim është djali i autorit të atentatit të 8 gushtit 2020.
Konfliktet e vjetra te "Volorekës" ne Pogradec u rikthyen këtë të hënë me plumba ndaj së njëjtës shënjestër të para dy viteve.
Johan Muçllari, 22 vjeç, mbeti i plagosur me armë zjarri, këte pasdite pas një zënke çasti me dy persona të tjerë.
Këta të fundit janë Firdeus Berberi 21 vjeç dhe Greisi Maxhari 23 vjeç, të njohur nga policia si persona me precedentë kriminal.
Një nga të dyshuarit, Firdeus Berberi, është i biri i Ilir Berberit i arrestuar para dy vitesh për ngjarjen e Volorekës.
I plagosuri Muçllari ka shkuar në spital dhe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy autorët janë shpallur në kërkim.
Johan Muçllari është djali i pronarit të hotelit "Voloreka" në Tushemisht që sulmua me armë kallashnikov në 8 gusht 2020. Hetimet paraprake bëjnë me dije se ngjarja e së hënës ka lidhje pikërisht me këtë sulm ndaj hotelit që është në pronesi të Jetmir Muçllarit, babai i Johanit.
Edhe në 2020 djali i pronarit të hotel “Voloreka" u dyshua si shënjestër e atij atentati.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, njëri nga autorët e sulmit të së hënës është një nga personat e përfshirë edhe në atentatin e vitit 2020.
Ora News siguroi atë kohë pamjet ekskluzive nga kamerat e sigurisë të sulmit që një grup personash ndërmorën me 1 gusht por që e finalizuan 7 ditë më pas me 8 gusht 2020.
Persona të armatosur dhe me maska qëlluan mbi 100 herë, me breshëri automatiku drejt hotelit duke rrezikuar jetën e familjes së pronarit të hotelit por dhe të turistëve që ndodheshin aty për pushime.
Makinat e parkuara aty u bënë shoshë nga plumbat ndërsa shenjat mbetën edhe në tre nga 5 katet e godinës.
Atëherë u arrestua Ilir Berberi, banues në Pogradec, i cili dyshohet se kishte rolin e organizatorit te sulmit, ku në bashkëpunim me tre persona të tjerë, kishin kanosur po me armë zjarri Johan Muçllarin, të birin e pronarit.
Bashkëpunëtorët e tjerë të arrestuar janë Ilir Meçolli, Ardian Xhuti, dhe Elvir Haxhiaj. I dyshuar si pjesë e sulmit u arrestuan edhe Mariglen Topuzi.

