IKMT do t'i prishë hotelin që ka marrë me qira në Radhimë, administratorja italiane: Kam paguar taksat për 2022, jam në rrugë pa përgjigje
Aksioni i IKMT kundër ndërtimeve pa leje vazhdoi në Radhimë të Vlorës. Objekti i radhës i shembur ishte hoteli ku pronarët kundërshtuan aksionin, ndërsa shtetasja italiane që e kishte godinën në përdorim ka hedhur akuza ndaj shtetit shqiptar pasi tha se ka paguar taksa për gjithë vitin ndërkohë që aktiviteti i mbyllet në mënyrë arbitrare.
IKMT u rikthye sërish në Radhimë për të shembur hotelin i cili një javë më parë u mbrojt fizikisht nga pronarët.
Atyre u ishte lënë 10 ditë kohë që të boshatisnin godinën, ndërsa mëngjesin e së martës gjithçka ishte gati.
Fadromat nisën të shembnin objektin në bregdet rreth orës 10 të paradites.
Pavarësisht se nuk bënë rezistencë, Marjana Cariglia, italiania që e kishte në përdorim atë hodhi akuza ndaj organeve shtetërore.
Marjana Cariglia: Jam në mes të katër rrugëve. Nuk di çfarë të bëj. Dje kam marrë këtë dokument që janë taksat mbi pronën 2022 . Thonë që nuk e njohin objektin, por nëse taksat mbi pronën paguhen çdo vit njihet apo nuk njihet, janë 1 milion e 100 mijë lekë. I kam paguar sepse më vijnë gjoba. Jam në mes të rrugës nuk di ku të shkoj.
Operacioni “Bregdeti Ynë” ka nisur një vit më parë me qëllim prishjen e të gjitha objekteve pa leje në vijën bregdetare, ndërsa në Vlorë janë shembur deri më tani 80 objekte. Dhjetëra godina të tjera janë në listë për tu shembur në vazhdim të aksionit.
