Lirohet i akuzuari për ekzekutimin e 2 vëllezërve në Vlorë, familja: Mos na vrisni për herë të dytë
Vetëm 10 ditë pasi u ekstradua nga Italia pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve Beqir dhe Elmaz Hasho, ngjarje e ndodhur në vitin 1998, Gerti Selimaj është lënë i lirë nga Gjykata, e cila ka vendosur masën e sigurisë "arrest shtëpie" për 47-vjeçarin. Por ky vendim ka sjellë edhe reagimin e familjarëve të dy vëllezërve të vrarë, të cilët kërkojnë drejtësi nga shteti, për të shmangur vetëgjyqësinë.
Vrasja e dy vëllezërve Elmaz dhe Behar në vitin 1998, ishte një prej ngjarjeve më të rënda që ndodhi në qytetin e Vlorës.Kjo për faktin se u ekzekutuan dy persona nga e njëjta familje.
Pas një karvani përgjatë këtyre viteve familja Hasho, vazhdimisht kërkonte zbardhjen e ngjarjes.
Pak kohë më parë, si autor i kësaj ngjarje u arrestua në Itali, 47 vjeçari Gerti Selimaj.
Edhe pse arrestimi dhe ekstradimi u bë me bujë të madhe, gjykata vendosi "arrest shtëpie."
Ky vendim ka shkaktuar indinjatë te familjarët. Mimoza Hasho, bashkëshortja e një prej viktimave, tregon ngjarjen e rëndë.
"Atë ditë ishim ngritur me vajzën të sëmurë kishim shkuar në spital. Morëm ilaçet dhe shkuam në shtëpi. Pas pak vjen Elmazi për të pyetur për vajzën. Hëngrëm bukë dhe Elmazi do ikte në shtëpi. Shkoi për të marrë makinën, por u kthyer sërish dhe kërkoi Beqirin, i tha nuk më ndizet makinë. Doli Beqiri dhe për punë 10 minutash ishte bërë gjithë veprimi, vrasja e të dy vëllezërve", tha zonja Hasho.
Ajo apeloi që 47 vjeçari të kthehet përsëri në burg dhe të zbardhet totalisht kjo ngjarje.
"Viola Canaj, gjykatësja e ka lënë në arrest shtëpie. Pyetja ime është kjo, pas 24 vjetësh që ne kërkojmë drejtësi, ku është drejtësia? Jam munduar si nënë për mos bërë hakmarrje. Kam bërë punën time që fëmijët ku ishin adoleshentë të kujdesesha mos vepronin për hakmarrje. Thosha drejtësia do bëjë punën e saj, do vijë ora e drejtësisë. Besoja te drejtësia dhe i lutem e ja kam lënë në dorë të zbardhet çështja. Mos na vrisni për herë të dytë", tha zonja Hasho.
Edhe Xhuliano Haxho, djali i një prej viktimave kërkon drejtësi. Ai kërkon që shteti të vendosë vetë drejtësi që situata mos të shkoj në vetë gjyqësi.
"Unë jam djali i Elmazit, po dal nga Gjykata e shkallës së Parë totalisht i zhgënjyer me një vendim të marrë që ka lënë një vrasës në arrest shtëpie. Ku është drejtësia këtu? Unë kërkoj të drejtën time. I bëj thirrje kompetencave më të larta të drejtësisë së Shqipërisë, vini drejtësinë në vend. Si mund të lihet i lirë një vrarës që ka kryer një vrasje të dyfishtë? Kemi mbi 20 vjet që po e presim këtë drejtësi. Shteti shqiptar të veprojë që ta kthejnë në burg, dhe në burg të sigurisë së lartë", th ai.
Gerti Selimaj u arrestua në Itali dhe u ekstradua drejt Shqipërisë më 26 mars 2022. 47-vjeçari shqiptar është arrestuar në një apartament në zonën e Martina Franca për llogari të drejtësisë shqiptare, pasi akuzohet si autor i vrasjes së dy vëllezërve në Vlorë, Beqir dhe Elmaz Hasho.
