Analisti Çela: Basha plotëson kriteret që Rama kërkon te një President

Javën që vjen do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për caktimin e kalendarit të nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri. PS ka lënë të kuptohet në deklaratat e saj se Sali Berisha nuk do jetë pjesë e negociatave.

Analisti Genti Çela i ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se fakti që ndodhitë e fundit në PD nuk i pëlqejnë Ramës dhe PS është një shenjë e mirë që në këtë vend po fillon opozita reale.

Çela: Uroj që Presidenti i ri të jetë gjithëpërfshirës, të jetë realisht mbi palët dhe të mos përfundojë në një noter të cilin qeveria e sheh thjesht si firmëtar të vendimeve të veta, i cili zgjidhet me 71 vota. Uroj që kjo të mos ndodhë megjithëse gjasat janë që të ndodhë. Deklarata e Spiropalit është e mbushur me urrejtje dhe një dëshpërim i dukshëm te PS dhe krerëve të saj që në PD nuk është më një kukëll e tyre dhe një grupim i vogël i tyre që ishte i lidhur qartësisht ngushtë me interesa personale biznesi, tenderash dhe flirte të herëpashershme për hir të përfitimeve. Kemi nevojë që PD të shkojë te njerëzit dhe jo njerëzit te PD.

Në media kanë qarkulluar informacine se Enkelejd Alibeaj ka qenë pjesë e një takimi me Taulant Ballën dhe Damian Gjiknurin. Alibeaj e ka përgenjështruar diçka të tillë.

Çela: Informacionet thonë se ky takim nuk ka ndodhur por fakti që janë hedhur lajme të tilla është një parashtrim i një veprimi që do të ndodhë dhe ndoshta një ditë do të ndodhë. Gjahu i preferuar i PS janë mbështetësit e zotit Basha me të cilët lehtësisht pushteti mund të negociojë fatkeqësisht tashmë dhe për Presidentin e Republikës. Se kush është opozita e vërtetë këtë e kanë vendosur opozitarët në 11dhjetor, 18 dhjetor, 6 mars dhe 25 mars. Kjo duhet të dëgjohet dhe te pushteti. Uroj të gabohem por besoj që Rama e ka një emër, i cili sigurisht nuk mund të jetë konsensual por një noter i gatshëm, partizan i qeverisë.

Mes kandidaturave të hedhura për konsum publik është edhe ajo e zotit Basha.

Çela: Ai i plotëson kriteret që Rama dëshiron të ketë një president. Përplasjet që pati me Metën nuk do ti ketë sërish. Kjo pasi Meta nuk u është përgjigjur shkeljeve ligjore që Rama ka dashur ti shndërrojë në ligj. Në politikë duhet besuar një lajm deri në momentin kur përgenjështrohet. Sidomos kur Basha të thotë diçka, duhet menduar në atë moment e kundërta.Patjetër që Basha do të donte të ishte një President, me ambicien e largët se do të kthehej në PD një ditë. Por në kushtet që jemi Basha nuk ka kë përfaqëson.

A do ti leverdiste PD zgjedhja e Bashës President?

Çela: Po por ne do donim që Republika e Shqipërisë të kishte një president të denjë dhe jo një president që nuk përfaqëson më as mbështetësit e vet, ku edhe ithtarët e vet të deridjeshëm e kanë braktisur.

Duke komentuar turin e ish-kryetarit të PD-së nëpër Shqipëri ai thotë se Basha nuk ngjallte besim kur ishte kryetar dhe jo më tani si i dorëhequr.

Çela: Deklaratat e Bashës prej kohësh nuk merren seriozisht, edhe kur ishte në krye të PD. Është humbje kohe e hapësirës publike, e higjienës publike, të merremi me një  njeri i cili tani nuk e di as vetë se çfarë përfaqëson. Një njeri i dorëhequr i cili nuk ka ngjallur kurrë besim dhe jo më tani që është i dorëhequr.