Nuraj: Ankimimi kundër vendimit të Gjykatës për 11 Dhjetorin “NUL” dhe i pabazuar në ligj, taktikë politike për të fituar kohë!

Enkelejd Alibeaj në cilësinë e nënkryetarit të PD ka çuar në Apel vendimin e shklallës së parë për njihen e Kuvendit të Sali Berishës.

Ky vendim legjitimoi në krye të PD që prej 25 marsit Komisionin e Rithemelimit si organ drejtues i partisë.

Alibeaj kërkon prishjen e këtij vendimi dhe pushimin ose kthimin në hetim me një trupë tjetër gjykuese.

Vetë Komisioni i Rithemelimit e konsideron si përpjekje të dëshpëruar të Edi Ramës për të mbajtur peng vulën e partisë.

Përfaqësuesi Ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ledio Nuraj, i ftuar në Ora News me gazetarin Arnold Kariqi thotë se ankimi është nul dhe i papazuar në ligj.

Nuraj: Ankimimi është bërë në emër të PD por në realitet këta persona nuk përfaqësojnë PD. Kërkesa është nënshkruar nga Alibeaj në cilësinë e nënkryetarit të PD por zoti Alibeaj në Kuvendin e 11 dhjetorit të 2021 është shkarkuar si nënkryetar. Personi që ka firmosur dhe dorëzuar këtë ankim nuk është personi legjitim që mund të bëjë ankim në lidhje me vendimin e gjykatës së shkallës së parë Tiranë. Të drejtën e ankimimit e kanë palët që marrin pjesë në proces, pala paditëse, i padituri dhe personat e tretë. Palë në proces ka qenë PD i përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit i mandatuar nga Kuvendi për të përfaqësuar PD dhe me palët e treta. Është organi i vetëm më i lartë drejtues i PD dhe i vetmi që mund të përafqësojë PD me të tretët.

A mund të ankimohet vendimi?

Nuraj: Vendimi i gjykatës me 25 mars nuk mund të ankimohet nga askush tjetër përveç palës që ka investuar gjykatën. Procesi i regjistrimit është proces gjyqësor me një palë. Pala që ma marrë pjesë dhe ka investuar gjykatën është PD i përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit që nuk ka pasur asnjë arsye për të ankimuar apo të investojë gjykatën e Apelit.

Nëse pranon Apeli ta marrë në shqyrtim, a do ta fusë PD në një spirale?

Nuraj: Juridikisht është e pamundur që gjykata ta marrë në shqyrtim këtë kërkesë dhe të vijojë më tej ky ankim. Së pari është bërë nga persona që nuk janë legjitimë, së dyti nuk janë palë në proces. Në sajë të këtyre nuk mund të legjitimohen për të vazhduar më tej dhe ankimi del nul.

Cili është qëllimi?

Nuraj: Është një taktikë qesharake, shumë e dështuar pë të fituar kohë që disa persona të ruajnë status quo-në e tyre dhe disa pozicione që i kanë marrë përmes emërimeve. Për të fituar kohë, se për çfarë nuk e di. Kjo kohë që kërkojnë të fitojnë përmes këtyre tollovitjeve kalon në favor të Edi Ramës dhe jo interesave të shqiptarëve.

Cila është sot vula e PD?

Nuraj: Vula e PD sot është vula dhe logoja e prodhuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit ligjërisht. Në momentin që janë të regjistrueshme dhe nuk ka ankim nga pala që ka investuar gjykatën janë menjëherë të zbatueshme. Kemi ankim nul që nuk mbështetet as në ligjin për partitë politike dhe as në kodin e procedurës civile.

Disa përgjigje për pretendimet në ankim

Nuraj: Ankimimi kundër vendimit të Gjykatës për 11 Dhjetorin

Në ankimin e Alibeaj pretendohet se "Gjyqtari Zhukri e shqyrtoi kërkesën e të ashtuquajturit Komision Rithemelimi pa njoftuar dhe pa praninë e PD-së si palë që kishte shprehur interes. “Kjo u bë me qëllimin e vetëm për ti mohuar të drejtat dhe për të dhënë një vendim në kundërshtim të hapur me dispozitat ligjore dhe në kundërshtim të hapur me përcaktimet e ligjit për Partitë Politike. Gjykata nuk e mori në shqyrtim dhe as nuk ktheu përgjigje për kërkesën e PD më 22 Dhjetor".

Nuraj: Komisionin e Rithemelimit nuk mund ta njohë Alibeaj por gjykata e ka njohur dhe në zbatim të nenit 14, paragrafi i dytë ku thuhet " ka të drejtën para gjykatës të bëjë regjistrimet e ndryshimeve statutore organi që njihet nga gjykata si përfaqësues i partisë politike". Që në momentin që e ka marrë për shqyrtim gjykata ka njohur si përfaqësues të PD Komisionin e Rithemelimit.

Pretendohet se "Vendimi i Zhukrit u mor mbi prova të rreme. Për të provuar se delegatët e të ashtuquajturit Kuvend të 11 Dhjetorit, janë të legjitimuar sipas statutit, Zhukri është bazuar në 3 prova të rreme. a) thotë se lista e delegatëve është dorezuar nga kryetari i Kuvendit Kombetar Edi Paloka, që e ka marrë listën nga dega 3 e PD. Sipas organizimit të PD, Edi Paloka ishte kryetar i Keshillit Kombëtar. Asnjë degë e PD nuk ka akses tek degët e tjera, për rrjedhojë nuk ka dijeni për anëtarët apo delegatët e saj. Dega 3 nuk është autoritet statutor për të lëshuar të tilla lista. b) PD nuk disponon asnjë aplikacion zyrtar “blue system”, siç thotë Zhukri se është shkarkuar lista e delegatëve. c) Lista e delegatëve nga FRPD dhe LDGSH është e pavlefshme. I vetmi autoritet statutor që përcakton kuotën e delegatëve të tyre (deri në 5% të delegatëve të Kuvendit) është Sekretari i Përgjithshëm. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka përcaktuar asnjë kuotë të tillë për LDG dhe FRPD për shkak se nuk ka patur mbledhje të Kuvendit Kombëtar në 11 Dhjetor dhe asnjë njoftim sipas statutit për një të tillë".

Nuraj: Argumentet nuk kanë bazë dhe nuk qëndrojnë fare. Paloka ka qenë kryetar i Këshillit Kombëtar, organi më i lartë përfaqësues pas Kuvendit sipas statutit të PD. Sa i takon listës blu, vetë Alibeaj dhe gjithë PD në fushatën e 25 prillit 2021 është mbështetur mbi këtë listë në lidhje me anëtarësinë e saj që kanë punuar për ato zgjedhje. Ka pasur një sistem ku identifikohej gjithë anëtarësia e PD. Lista e delegatëve është po ajo listë delegatësh që kanë marrë pjesë dhe kanë qenë të mandatuar nga strukturat në Kuvendin e 17 korrikut. Delegatët janë 80% e strukturës. Delegati e ruan mandatin nga Kuvendi në Kuvendin tjetër përsa kohë ushtron dhe funksionet e ngarkuara nga zgjedhësit. Sa i përket mandateve të LDG dhe FRPD, pak para 17 korrikut PD dhe dega e gruas kishin mbyllur procesin e zgjedhjeve në gjithë strukturat e LDG.

Një argument tjetër është se Komisionit të Rithemelimit i ka mbaruar mandati me 22 mars.

Nuraj: Kuvendi i 11 dhjetorit nuk u shpërnda. Një nga pikat ishte se quhet i mbledhur deri në mbledhjen e radhës tjetër. Kuvendi u la me 22 mars dhe të gjitha kompetencat ju lanë Komisionit të Rithemelimit. Komisioni vendosi shtyrjen e mbajtjes së Kuvendit.