Fadromat e IKMT zbresin në Radhimë, pronarët kundërshtojnë shembjet, debate me policinë
IKMT zbarkoi këtë të hënë në Radhimë dhe Orikum për shembjen e objekteve pa leje.
Tashmë po ndërhyhet në vijën e bregdetit. Në fokus të aksionit deri tani janë Beach Baret, njësitë me profile të lehta hekuri ose druri.
Bëhet me dije se nga ASHK Vlorë janë sjellë letrat negative për shembjen edhe të një objekti tre katësh në të cilin do të ndërhyhet ditën e sotme.
Procesi në Rradhimë u shoqërua me tensione. Disa prej pronarëve tentuan të futen në objektet e tyre që po shemben por u penguan nga policia.
"E kam marrë në '99-ën. Edhe pagesat. Kryetari i bashkisë nëse e ka falsifikuar le të shkojë brenda. Ja dhe certifikata e tokës. Jemi në fazë legalizimi, këta të skualifikojhnë por skualifikim nuk do të thotë prishje. Mund të rrish dhe 50 vjet pa leje. Na lajmëruan para tre ditësh që do i prishim ditën e hënë."
Ndërsa Mariana Carrillo, shtetase italiane thotë se ka disa muaj që e ka marrë në administrim hotelin dhe tashmë i ka vajtur fleta e shembjes së tij.
Ajo pretendon se nuk është njoftuar dhe se shteti shqiptar po e dëmton në biznes.
