Braimllari: Shqiptarët kanë nevojë për një President që s’është pjesë e pazareve të mazhorancës

Në korrik Ilir Meta largohet nga detyra e kreut të shtetit, ndërkohë kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha se është i sigurt se pas 24 korrikut vendi do të ketë një President ndryshe nga figura e Ilir Metës.

Në lidhje me këtë dhe se a do të ketë propozime nga ana e LSI për presidentin e ri të Shqipërisë, ka folur sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj.

Ai tha se palët politike nuk po japin sinjale se duan bashkëpunim për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Ndër të tjera Braimllari u shpreh se Meta gjatë 5 viteve në presidencë ka sjellë një standard tjetër në atë zyrë duke shtuar se ka fituar të gjithë betejat që ka pasur më qeverinë.

Endrit Braimllari: Duhet të kuptojmë se palët në këtë situatë nuk  ofrojnë sinjale që duan një bashkëpunim për kreun e shtetit. Pozicioni i kreut të shtetit është shumë i rëndësishëm, por ka të bëjë edhe me mënyrën se si do të zgjidhet. Duhet të kemi bindje të plotë se në këto 5 vite që Meta ka qenë president ka sjellë një standard tjetër në atë zyrë. Ai ka qenë në një betejë në mbrojtje të interesit publik, në mbrojte të Kushtetutës dhe në këto kushte duke pasur një president të tillë, është shumë e vështirë që presidenti pasaardhës të jetë një hap më lartë se presidenti aktual. Meta i ka dhënë pozicionin e duhur kreut të shtetit. Meta ka fituar të gjithë betejat që ka pasur me qeverinë.

Ndër të tjera ai u shpreh se në krye të shtetit duhet të jetë një person që nuk është pjesë e pazareve të mazhorancës.

Endrit Braimllari: Zgjedhja e Metës president, i dha rëndësinë e duhur presidencës së shtetit. Unë nuk pres që kjo mazhorancë, kjo qeveri, të kërkojë një kryetar shteti që vjen me koncensus, apo një kryetar shtetit që respekton Kushtetutën. Do bëjë çdo përpjekje për të kapur presidencën. Rilindja tentoi disa herë që të kap presidencën, por nuk ia doli.

Unë e gjykoj shumë të rëndësishëm një kryetar shteti që nuk është pjesë e pazareve të mazhorancës. Shqiptarët nuk ka nevojë për një president që del si pasojë e pazareve të nëndheshme të mazhorancës.

Si zgjidhet Presidenti në Shqipëri?

Një kandidat për President mund të propozohet nga jo më pak se 20 deputetësh, ndërsa një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Përgatiti Anila Kolgjini.