Braimllari: PD humbi shumë për shkak të pazarave që Basha kishte me Ramën. E rëndësishme bashkimi i opozitës
Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari është shprehur se opozita humbi si pasojë e pazareve që kishte Lulzim Basha me Edi Ramën.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Braimllari tha se opozita duhet të bashkohet sa më shpejtë në mënyrë që të jetë në front për t’u shërbyer qytetarëve dhe për t’i bërë ballë mazhorancës.
Endrit Braimllari: Opozita ka humbur shumë dhe për këtë jemi të gjithë të vetëdijshëm, ka humbur shumë për shkak të pazareve që Basha kishte me Ramën. Nga 25 prilli deri më 6 mars e gjithë energjia e opozitës u fokusua të beteja e brendshme. Kjo ishte humbje e territorit. Duhet të ketë një bashkim sa më të shpejtë të opozitës që të jetë në front për t’I shërbyer interesit të vendit. Nëse Basha nuk do ishte i shitur shumë kauza do të kishin shkuar deri në fund dhe sot do të kishim një realitet tjetër politik.
Teksa ka folur për rolin e LSI-së gjatë kohës që PD ishte në ‘luftë’, Braimllari tha se forca e tij politike ka qenë e kujdesshme me frontin opozitar.
Ai gjykon se opozita është në rrugën e duhur drejt bashkimit.
Endrit Braimllari: LSI ka qenë shumë e kujdesshme pas 25 prillit në raport me frontin opozitar, me PD. Ne nuk kemi kërkuar kurrsesi të godasim Bashën. Ne kemi qenë pjesë e grupit opozitar për të goditur pozitën. 6 marsi vulosi njëherë e përgjithmonë historinë e PD. Ne kërkojmë që opozita të unifikohet me ritme sa më të shpejta për t’u bërë gjithë bashkë, dhe për të qenë në front me keqqeverisjen.
Opozitës i duhet shumë punë për të bindur se është një opozitë frontale dhe jo në linjën që ka qenë më Bashën. Kam përshtypjen se opozita është në rrugën e duhur.
Braimllari tha se LSI-së ka qenë e para që ka kundërshtuar lëvizjet e Kushtetutës në vitin 2008, ndërsa shton se gjërat do ishin ndryshe po të kishte një Kushtetutë tjetër.
Endrit Braimllari: LSI ka qenë e para që ka kundërshtuar lëvizjet e Kushtetutës. Nëse do kishim një Kushtetutë tjetër, dhe roli i presidentit do të ishte shumë më ndryshe, rol ndryshe do të kishte dhe presidenti i Republikës, do kishim balancim të pushteteve.
Sipas tij, e rëndësishme në këto momente është bashkimi i opozitës
Endrit Braimllari: Sot për sot më e rëndësishme për vendin është unifikimi sa më shpejt i opozitës për t’u vendosur përballë regjimit. Energjitë duhet të fokusohen të bashkimi i opozitës, çdo shpërndarje në fusha të tjera nuk i ndihmon opozitës shqiptare. Në momentin që është e bashkuar do të marrin vendime të përbashkëta dhe diskutime të tjera, dhe për ndryshimet kushtetuese.
Përgatiti Anila Kolgjini.
