Përshtati 2 ambiente si “shtëpi bari” arrestohet 32-vjeçari në Durrës, nën hetim një polic

Policia e Durrësit ka zbuluar dy ambiente që dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me llamba dhe ka vënë në pranga një 32-vjeçar.

Në kuadër të operacionit policor "Led" u bë arrestimi i E.Kokomani me banim ne Shijak, i cili posedonte këto ambiente.

Gjithashtu është vënë nën hetim një punonjës policie, shtetasi A. S. me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë së Zonës (SPZ), për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Gjatë operacionit "Led" në  fshatin Hardhishtë të Njësisë Administrative Gjepalaj, Shijak, u ushtrua kontroll në disa banesa të dyshuara.

Si rezultat i kontrollit të banesave dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur që në një vilë dhe në një ambient (stallë), të gjenden dhe të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale:

●186 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe 360 fara cannabis sativa;

●dy armë zjarri tip pushkë dhe 140 fishekë luftarak;

●dy aspiratorë, 15 llamba, 15 llamba me reflektor, 13 droslera, 10 reflektorë dhe dy automjete.

Materialet kalojnë për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.