"Konsullata shqiptare ka rënë vetë", Rusia e mohon se ka shkatërruar godinën në Ukrainë

10 ditë pas shkatërrimit të konsullatës shqiptare në Ukrainë, Ministria e Jashtme e Rusisë e mohon se forcat ruse e kanë sulmuar godinën në Karkiv.

Rusia ka mohuar akuzat se ka sulmuar godinën e konsullatës së nderit të Shqipërisë në qytetin e Karkivit në Ukrainë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakarova insiston se Rusia nuk ka në objektiv infrastrukturën civile.

"Nuk e kemi bombarduar ne konsullatën shqiptare në Karkiv. Ne i kundërshtojmë me forcë akuza të tilla. Që në fillim të operacionit special në Ukrainë, forcat e armatosura ruse kanë thënë se nuk bombardojnë infrastrukturën civile apo njerëzit, objektivi ynë është vetëm infrastruktura ushtarake ukrainase".

Megjithëse ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se forcat ruse kanë qëlluar edhe pallate shumëkatësh të banuar, zyrtarja e zyrës së diplomacisë ruse pretendon se mbrapa këtyre sulmeve qëndron Ukraina.

"Udhëheqja ukrainase dhe komanda e forcave të armatosura të tyre praktikojnë përdorimin e metodave terroriste ata vendosin pozicione luftarake në ndërtesa banimi, granatojnë zonat urbane, duke përdorur njerëzit si mburojë".

Në 7 mars, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë me dije se godina e Konsullatës shqiptare në Karkiv është bombarduar nga forcat ruse.

Institucioni i drejtuar nga Olta Xhaçka e dënoi sulmin ndaj godinës së konsullit shqiptar të nderit në Ukrainë.

Bashkëngjitur njoftimit, institucioni ynë i diplomacisë shpërndau edhe fotot e godinës së shkatërruar në Ukrainë.