Revolta për çmimet, aktivisti i përgjigjet Ramës: Imazhin Shqipërisë ja zhgarraviti qeveria, jo protesta

Protestat masive kundër rritjes abuzive së çmimit të karburanteve dhe ushqimeve në vendin tonë hynë në ditën e tyre të katërt më 12 mars. Sot qindra, mijëra qytetarë mbushën Bulevardin dhe u ndalën përballë kryeministrisë.

Në një intervistë me gazetarin Sebastian Zonja në studion e RTV Ora aktivisti i Shoqërisë Civile Klodi Leka ju përgjigj kryeministrit Rama i cili i akuzoi protestuesit se po zhgarravisin imazhin e Shqipërisë nëpër botë.

"Sot e tërë bota po përballet me rritjen e çmimeve si pasojë e luftës. Rritja e çmimeve është shumë më e lartë sot si pasojë e luftës. Ta zhgarravisësh sot Shqipërinë në sytë e botës kur tërë protestuesit i kanë dhënë kohë kohës duke pranuar taksiratin e luftës, duhet të mos kesh as minimumin jetik të moralit dhe të arsyes njerëzore në raport me vendin tënd", kështu u shpreh Rama sot gjatë një video live me qytetarët në Facebook. 

Leka: Imazhi i Shqipërisë rregullohet nga këto protesta, nga kjo pranverë shqiptare sepse imazhin e Shqipërisë në botë e ka zhgarravitur vetë qeveria. Shqipëria në të gjitha raportet ndërkombëtare konsiderohet shtet me kriminalitet të lartë, varfëri të lartë, është e fundit në Evropë për sa i përket të ardhurave për frymë, është e parafundit në Ballkan për sa i përket pagës minimale dhe është e fundit për sa i përket minimumit jetik. Ajo që po ndodh këto ditë, që qytetarët po marshojnë masivisht, paqësisht, me thirrje, me shpresa vetëm sa e përmirëson imazhin e Shqipërisë në botën perëndimore. Bota perëndimore nuk është ngritur mbi vlerat e Ramës, por është ngritur mbi vlerat e protestë. Mbi vlerat e angazhimit qytetarë mbi demokraci dhe mirëqenie ekonomike dhe nga njerëzit që respektojnë pikë së pari dinjitetin e tyre personal.