Linda Rama mesazh gruas së Zelenskyt: Mike e panjohur, populli shqiptar po përjeton me dhimbje tragjedinë tuaj
Bashkëshortja e kryeministrit Rama, Linda Rama nëpërmjet një video në Twitter i ka dërguar një mesazh gruas së Parë të Ukrainës Olena Zelenska.
Në mesazhin e saj zonja Rama shprehet se i gjithë populli shqiptar është në krah të Ukrainës në ditët më të vështira që po përjeton pas pushtimit rus më 24 shkurt 2022. Rama përgëzon Ukrainën për mesazhin që po i jep botës me qëndresën e saj heroike.
Mesazhi i Linda Ramës
Shumë e dashur Olena. Unë, familja ime dhe i gjithë populli shqiptar po e përjeton me dhimbje të madhe tragjedinë e vendit dhe popullit tuaj. Shqiptarët mund ta kuptojnë mirë atë ç'ka po ndodh aty. Ne e dimë së çfarë mbjell lufta. Ne e dimë edhe se çfarë prodhon diktatura pasi jetuam diktaturën më të egër në Evropë. Ne sikundër ju jemi një komb që e kemi refuzuar çdo përpjekje të huaja për të na tjetërsuar identitetin tonë. Ne e dimë që demokracia është përkatësi e popujve të lirë, ndërsa ju ukrainasit po ja rikujtoni botës së lirë se kjo përkatësi ka një çmim, që mund të jetë i lartë sa vetë jeta.
Populli juaj i ka dhënë shumë botës, por sot populli juaj po i jep botës një mesazh zgjimi për kujtesën e saj të kërcënuar nga amnezia historike, një mesazh shpëtimi për të ardhmen e saj të marrë peng prej frikës. Ju heroikisht po i jepni botës së lirë të jetë e bashkuar dhe e vendosur. Shumë e dashur mike e panjohur, me dhimbjen e madhe që unë dhe çdo nënë shqiptare ndjen për jetët e humbura, për nënat me fëmijë që ndahen nga burrat, lus Zotin që t'ju japë forcën e madhe që ju duhet dhe lus me gjithë zemër që triumfi i Ukrainës t'i kthejë sa më parë në shtëpitë e tyre ato nëna me fëmijë. Të siguroj se jemi me ju deri në fund.
With you, to the end! pic.twitter.com/Bucaqn3jxU
— Linda Rama (@lindaramaal) March 12, 2022
