"Jemi bërë si kopsht fëmijësh", Alizoti pas 5 orë mbledhje: Basha duhet të dorëhiqet!

Deputeti Tomor Alizoti zgjidhjen brenda PD-së e sheh vetëm te dorëheqja e Lulzim Bashës si  kryetar partie.

Deklaratën e tij për të bërë pas e sheh më shumë si taktikë politike dhe jo gatishmëri për të dhënë dorëheqje.

Alizoti: Të japë dorëheqjen. Kushdo kryetar që është nesër duhet të ikë. Modeli perëndimor ky është, modeli putinist është të rrish në pushtet dhe të mos ikësh.Është shumë e zgjidhshme. Jemi ne parti, si shqiptarë, të pranojmë një dorëheqje, të ikë njëri nga ky vend se vdiqëm, kaq. Bëmë 2-3 orë bisedë dhe mesa shikoj zotëria ka përdor një fjalë "hap pas", fjala dorëheqje është dorëheqje. Në fund fare arrita të kuptoj se ai nuk do të dorëhiqet. Thotë do mbledh Kolegjin, Kryesinë, Këshillin.

Dorëheqja në konceptin institucional është se njeriu mban përgjegjësi personale, e deklaron para medias, popullit, thotë marr përgjegjësitë dhe largohem. Kjo nuk ndodhi tani së fundmi, fatkeqësisht kjo po shkon në një psikozë. Partia urgjentisht duhet të heqë hekurat se është parti politike.

Duhet dreqi ta hajë që një njeri të mbajë përgjegjësi dhe të hapë krahun kushdo qoftë ai. Të marrë frymë një parti dhe të jetë një proces njerëzor siç e ka gjithë bota. Pse qenka kaq e vështirë të ikësh nga pushteti kur nuk fiton, partia 12%. Qëndruam pesë orë dhe ai thotë do bëj hap para, pas. Kemi arritur në dimensione qesharake, është bërë një kopsht fëmijësh. Unë mbajta qëndrimin tim, vetëm dorëheqje. Demokracia ka dy tipare, dorëheqje, votë. Ne nuk e shpikim dot. Kështu e ka bota dhe kështu duhet të ndodhë.

E kuptoni çfarë do të thotë Basha me një hap pas?

Alizoti: Kuptoj që janë taktika, dorëheqja është del e deklaron dhe ikën.

Ndiheni përgjegjës që gjithë këto muaj nuk keni qenë në PD dhe nuk keni marrë pjesë në mbledhje?

Alizoti: Nuk ndihem fare përgjegjës.

Do mblidhni firma për përjashtimin e Bashës nga grupi parlamentar?

Alizoti: Grupi parlamentar nuk e përjashton dot Bashën nga kryetar. Shumica po diskutojmë, se kemi të bëjmë me një rast të rrallë në univers. Nuk ka të drejtë grupi parlamentar ta shkarkojë, thjesht mund ta pezullojmë nga grupi parlamentar.