Përfshihet nga zjarri Kodra e Ardenicës në Lushnje, digjen 5 hektarë bimësi dhe pisha
Kodra e Ardenicës në Lushnje u përfshi nga një zjarr i fuqishëm mesditën e së shtunës. Zjarri dyshohet se u ndez nga një banor i zonës gjatë pastrimit të barërave të thatë.
Brenda 15 minutash flakët u përhapen në një sipërfaqe prej 5 hektarësh, ku u dogjën edhe disa rrënjë pishash.
Zjarri ishte shumë pranë antenave të disa televizioneve çka solli dhe ndërhyrjen e shpejtë të tre mjeteve zjarrfikëse dhe forcave të shumta të Policisë.
Flakët të favorizuara nga era e forte u përhapën me shpejtësi pranë restoranteve dhe një banese që ndodhet në afërsi të pyllit.
Dy zjarrfikëse nga Lushnja dhe një nga Fieri kanë mundur të vënë nën kontroll zjarrin pas një ore.
Policia e Lushnjes bën me dije se ka ndaluar një person rreth të 60-ve si autor te incidentit.

