Paketa e rezistencës sociale/ 7 pikat e planit, nga indeksimi i pensioneve te financimi i mburojës së çmimit të energjisë elektrike
Kryeministri, Edi Rama, prezantoi pasditen e sotme planin e masave anti-krizë. Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet, përmban 7 pika dhe nis me indeksimin e pensioneve.
Por Rama i paralajmëroi qytetarët se duhet të përgatiten për çdo përkeqësim të mundshëm duke thënë se është luftë dhe nuk mund të bëjmë asgjë tjetër përveçse ta përballojmë me kurajo, dinjitet dhe durim.
Rama: Jemi përsëri në vështirësi si me tërmetin dhe pandeminë por kjo është më e keqe akoma nëse zgjat pa fund por jo për fajin e Shqipërisë por të dikujt që kërkon ta kthejë Europën në kohët më të zeza të shekullit të kaluar. Duhet të bashkohemi te e vërteta. Lufta që na ka përfshirë përmes rritjes së çmimeve nuk është film dhe as larg nesh. Sot është rritja e çmimeve por duhet të jemi shumë të përgatitur për çdo përkeqësim të mundshëm se është luftë dhe nuk mund të bëjmë asgjë tjetër përveçse ta përballojmë me kurajo, dinjitet dhe durim. Nëse nuk arrijmë dot çfarë do bëjmë më tutje sikur gjërat të përkeqësohen shumë më keq. Më thonë mos i jep popullit pesimizëm por shpresë. Shpresa lind nga e vërteta.
Plani me 7 pika
Së pari, do të derdhim menjëherë 3.6 mld lekë për të indeksuar pensionet. Masa do reflektohet që në pensionin e radhës së 673542 pensionistëve.
Së dyti, për 434 mijë përfitues, qytetarë dhe qytetare të këtij vendi do të kompensojmë me lekë në dorë rritjen e çmimeve të shportës që bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7% ose 2500 lekë +. Qeveria do të japë 3000 lekë për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen e çmimit të shportës për pensionistët që marrin më pak se gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistë që jetojnë vetëm (në kuptimin individualisht apo çift), personat me aftësi të kufizuar paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike.
Së treti, mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do të shkojë 1.4 mld lekë. Fermerët e kanë naftën pa taksë, mund të rritet sa të dojë çmimi, taksat nuk i paguajnë. Kjo bëhet me regjistrimin e NIPT-it. Jemi gati të mbulojmë të gjithë fermerët që janë atje në punë.
Së katërti, qeveria do të mbështesë të gjithë qytetarët që përdorin linjat urbane qytetase dhe ndërqytetase duke derdhur menjëherë 500 mln lekë për të paguar diferencën e çmimit të biletës në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit, qoftë kur hipën në autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin.
Së pesti, do të fusim dy muaj përpara në fuqi ligjin për zerimin e taksës mbi pagat deri në 40 mijë lekë, përgjysmimin për pagat deri në 50 mijë lekë si dhe uljen e taksës nga 150 mijë lekë-200 mijë lekë. 56% e atyre që në Shqipëri jetojnë me punë dhe paguhen me pagë do paguajnë zero taksë mbi pagat. Nuk janë të gjithë që marrin 30 mijë lekë.
Së gjashti, do të futim në fuqi 2 muaj përpara ligjin për pagën minimale që në prill do të bëhet 32 mijë lekë.
Së shtati, energjia, pika më e nxehtë e gjithë frontit. Do të shtojmë 20 mld lekë të tjera financimin e mburojës së çmimit të energjisë që të vazhdojnë familjet, biznesi i vogël të paguajnë energjinë elektrike sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë.

