Evakuimi i Mariupolit u ndal për herë të dytë, shkak bombardimet e vazhdueshme ruse
Një përpjekje e dytë për të evakuuar rreth 200,000 civilë nga qyteti jugor i Mariupulit, përgjatë korridoreve të caktuara humanitare ka dështuar për shkak të bombardimeve të vazhdueshme ruse.
Evakuimet nga qyteti port i Mariupolit ishin planifikuar të fillonin në mesditë me kohën lokale gjatë një armëpushimi, thanë autoritetet ushtarake ukrainase.
Këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko tha se evakuimet e planifikuara u ndaluan për shkak të një sulmi në vazhdim.
“Nuk mund të ketë “korridore të gjelbra” sepse vetëm truri i sëmurë i rusëve vendos se kur të fillojë të qëllojë dhe ndaj kujt”, tha ai në Telegram.
Separatistët pro-rusë dhe Garda Kombëtare e Ukrainës akuzuan njëri-tjetrin për dështimin në krijimin e një korridori humanitar.
Agjencia e lajmeve Interfax citoi një zyrtar të administratës separatiste të Donetskut, i cili akuzoi forcat ukrainase për mosrespektim të armëpushimit të kufizuar, shkruan Al Jazeera.
Përpjekja e parë për evakuimin e civilëve nga Mariupol dhe qyteti i afërt i Volnovakha dështoi të shtunën.
