Putin i gatshëm për dialog me perëndimin, kreu i shtetit rus: Ukraina më e angazhuar në bisedime
Presidenti rus Vladimir Putin ka biseduar me homologun e tij turk Erdogan të cilit i ka shprehur gatishmërinë për të biseduar me perëndimin dhe sidomos me Ukrainën.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Rexhep Tajip Erdohan, ku në qendër të diskutimeve ishte situata e tensionuar në Ukrainë.
Putin i tha Erdoganit se ai është i gatshëm për të dialoguar me palën ukrainase dhe ndërkombëtarët.
Putin: Shpresoj që gjatë raundit të ri të bisedimeve, Kievi të tregojë një qasje më konstruktive duke marrë parasysh realitetin. Gatishmëria jonë për dialog me ukrainasit me partnerët e huaj për zgjidhjen e konfliktit është e konfirmuar.
Presidenti turk kritikoi fushatën e perëndimit për të diskriminuar kulturën ruse.
Erdogan: Me shqetësim vërej fushatën e furishme për të diskriminuar kulturën ruse dhe figurat e saj, e cila po merr vrull në një sërë shtetesh perëndimore.
Kreu i shtetit rus i tha homologut të tij Erdogan se ai do të ndihmonte për të evakuuar turqit që ende ndodheshin në Ukrainë.
Të dy presidentët ishin të gatshëm të thellonin bashkëpunimin ekonomik.
Turqia është nga të paktat vende që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pasi kjo e fundit nisi sulmin ndaj Ukrainës në 24 shkurt.
