Putin: Rusia do të ndalojë operacionin ushtarak vetëm nëse Ukraina 'ndalon së luftuari'
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i tha Presidentit turk Tajip Erdogan gjatë një bisede në telefon se Rusia do të ndalonte operacionin e saj ushtarak vetëm nëse Ukraina ndalonte luftimet dhe kërkesat e Moskës përmbusheshin, tha Kremlini në një deklaratë.
Putin tha se operacioni po shkonte sipas planit.
Udhëheqësi rus tha se shpreson që negociatorët ukrainas të kenë një qasje më konstruktive në bisedime dhe të marrin parasysh realitetin në terren, shtoi deklarata.
Më herët Putin paralajmëroi Ukrainën se shtetësia e saj është në rrezik.
"Nëse ata vazhdojnë të bëjnë atë që po bëjnë... ata po vënë në pikëpyetje të ardhmen e shtetësisë ukrainase", tha Putin gjatë një fjalimi televiziv të shtunën, 5 mars gjatë takimit me stjuardesat e linjës ajrore ruse Aeroflot.
"Dhe nëse kjo ndodh, do të jetë tërësisht në ndërgjegjen e tyre."
