SHBA-ja dhe Polonia po shqyrtojnë marrëveshjen për t'i ofruar Ukrainës avionë luftarakë të epokës sovjetike

SHBA po zhvillon bisedime me Poloninë për furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë, raportoi Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë.

Zyrtarët amerikanë thanë se SHBA mund të sigurojë avionë F-16 për Poloninë, ndërsa Varshava mund të furnizojë Kievin me avionë luftarakë të epokës sovjetike.

Edhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken gjatë një vizitë sot në Moldavi tha:

“Po shqyrtojmë në mënyrë aktive çështjen e avionëve që Polonia mund t'i ofrojë Ukrainës dhe po shikojmë se si mund të jemi në gjendje të plotësojmë nëse Polonia vendos të furnizojë ata avionë.

Nuk mund të flas për një afat kohor, por thjesht mund të them se po e shikojmë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka thënë anëtarëve të Kongresit amerikan në një video-telefonatë se Kievit i duhen urgjentisht avionë luftarakë.

Detajet se si do të dorëzohen avionët në Ukrainë janë ende duke u studiuar dhe zyrtarët thanë se Kongresi është gati të miratojë marrëveshjen sapo të arrihet, shkruan Al Jazeera.