Shqipëria i përgjigjet Ukrainës për benzinë, Ambasadori: Po diskutojmë logjistikën si do ta dërgojmë, Shtab në Ambasadë për ndihma
Një ditë pas artikulimit të kërkesës së ambasadorit ukrainas për benzinë nga Shqipëria, kjo e fundit duket se i është përgjigjur pozitivisht.
Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, në një intervistë ekskluzive për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi, tha se janë në dialog për gjetjen e logjistikës së duhur që ato të shkojnë në destinacion.
Jo vetëm qeveria shqiptare, por edhe njerëzit e thjeshtë dhe biznesi shqiptar kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar.
Ndaj diplomati ukrainas tha se nga nesër në Ambasadë do krijohej një shtab për ndihma.
Ju folët një ditë më parë për një kërkesë për ndihmë nga Shqipëria, a ka pasur një përgjigje apo reagim konkret?
Shkurov: Ka reagime, ka përgjigje, ka dialog. Aktualisht jemi duke folur për disa furnizime të mundshme për disa produkteve, po diskutohet logjistika dhe rruga e duhur për tu çuar këto gjëra në destinacionin e duhur. Na drejtohen dhe qytetarë të thjeshtë të Shqipërisë apo biznesmenë të niveleve të ndryshme. Duke filluar nga nesër kemi menduar të krijojmë një lloj shtabi brenda Ambasadës që kjo ndihmë të mund të sillet në Ambasadë dhe ne ta përcjellim në destinacionin e duhur. Duke falenderuar qeverinë shqiptare, parlamentin, presidentin, desha të shpreh mirënjohjen dhe për popullin shqiptar, një popull i vogël por me një shpirt të madh.
Ambasadori ukrainas vlerësoi edhe qëndrimin e Shqipërisë, posaçërisht në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Si i keni parë qëndrimet e qeverisë shqiptare dhe diskutimet në Parlament?
Shkurov: Qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe i parlamentit meriton një vlerësim më të lartë sa i përket solidaritet dhe mbështetjes. Nuk është vetëm në nivel bilateral por edhe mbështetjen që ofrohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Dua të shpreh mirënjohjen time të përzemërt për këtë mbështetje.


