Incineratorët "bardh e zi", Tabaku: Erion Veliaj, Gledis Nano e Engjëll Agaçi të sjellin dokumentet
Komisioni Hetimor Parlamentar për incineratorët duket se do të dalë me dy raporte, njëri nga opozita që fajëson qeverinë dhe tjetri nga mazhoranca që nuk sheh shkelje në këtë çështje. Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku nuk mohoi faktin se nga ky komision mund të dalë dy përfundime, ndërsa i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë Engjell Agaçi, të sjellin informacionet që u janë kërkuar nga deputetët për zbardhjen e çështjes.
"Nuk dua ta paragjykoj që do kemi dy raporte të ndara sepse ne kurre skemi per ti dhënë mbrojtje politike 3 personave në kërkim", tha Tabaku.
Komisioni Hetimor Parlamentar do të dalë me dy raporte të ndryshme për incineratorët. Kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku, në përfundim të hetimeve renditi disa nga shkeljet e mazhorancës për procedurat e dhënies me koncension të inceneratorëve.
"Zoti Erion Veliaj këtu nën betim tha që ka marrë një angazhim pa pasur një vendim të Këshillit Bashkiak," tha Tabaku.
Deputetja e PD, bëri me dije se Komisioni vërtetoi se procedurat për inceneratorët ishin korruptive, ndërsa sipas saj dëshmitarët thanë se nuk mbanin mend se çfarë kishin firmosur e çfarë kishte ndodhur.
"Të tre kontratat koncensionare përbëjnë atë që besoj për të gjithë qytetarët është bërë e qartë si afera më korruptive e firmosur nga qeveria Rama gjatë 8 viteve të fundit," tha ajo.
Sipas saj, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe disa drejtues të tjerë shpërfillën kërkesat e Komisionit Hetimor për dhënie informacioni.
"Unë bëj dhe një herë thirrje për personat të cilët kanë dështuar të sjellin informacionin në këtë Komision; Gledis Nano, Erion Veliaj," tha Tabaku.
Nga ana tjetër nënkryetarja e Komisionit Hetimor, Ermonela Felaj shprehu pakënaqësi për kolegët e opozitës.
"Ky Komision për fat të keq nuk arriti të ishte në performancën e plotë të një Komisioni Hetimor Parlamentar sepse për asnjë moment nuk e ndau një hetim parlamentar nga një hetim penal," tha Felaj,
7 marsi do të jetë data finale ku do të vendoset nëse opozita dhe mazhoranca do të kenë pika të përbashkëta për hetimin e bërë për incineratorët.
