Ndërtimi brenda bazës ushtarake, bllokohet objekti në Shëngjin, hetohen ish-zyrtarët që dhanë leje
Objekti në pronësi të një firme private që po ndërtohet brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit është vënë nën sekuestro preventive, ndërsa disa ish zyrtarë lokalë po hetohen për skandalin.
Vendimi është marrë nga Gjykata Lezhës me kërkesës të prokurorisë që po verifikon rastin pas denoncimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes.
Procedimi penal nisi nga SPAK për veprën penale “Shpërdorim detyre”, por më pas çështja i kaloi Prokurorisë së Lezhës.
Organi i akuzës, mësohet se ka kryer një sërë veprimesh dhe po heton ish zyrtarë që dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
Janë sekuestruar dhe po verifikohen të gjitha praktikat e privatizimit të pronës dhe dhënien e lejes së ndërtimit brenda bazës ushtarake të Shëngjinit.
Por ndërtimi brenda bazës, sipas burimeve është vetëm një prej skandaleve të abuzimit me pronat shtetërore në Shëngjin.
Prokurori Sabri Kastrati po heton edhe raste të tjera në zonë, kur pronë shtet është kthyer në private përmes dokumenteve të prodhuara në institucione.
Skandali i ndërtimit brenda bazës ushtarake të Shëngjinit u denoncua rreth një vit më parë nga ish-zv.komandanti i Forcës Detare Artur Mecollari e më pas u vunë në lëvizje Ministria e Mbrojtjes dhe organet e drejtësisë.
Firma qe po ndërton objektin është e pajisur me certifikatë pronësie dhe leje ndërtimi të rregullt dhe madje ka paditur në gjykatë Ministrinë e Mbrojtjes për bllokim të punimeve dhe çështja është në shqyrtim.
Objekti është ngritur katër kate, por pasi çështja u bë publike dhe ndërhynë dhe Ministria e Mbrojtjes puna ka stopuar.
Baza detare ushtarake e Shëngjinit mbahet nën monitorim të vazhdueshëm përgjatë 24 orëve nga forcat e ushtrisë.

