Bie sistemi, fermerët e Fierit në radhë, nis aplikimi për skemat përfituese në bujqësi
Këtë të premte duhet të niste aplikimi i fermerëve për skemat përfituese të subvencioneve. Por për shkak se sistemi i e-Albania nuk funksionuar siç duhet ara janë detyruar të presin në radhë për orë të tëra pranë zyrave të AZHBR.
Serverat e e-Albania dolën jashtë funksionit paraditen e së premtes.
Dhjetëra fermerë nga i gjithë vendi pritën me orë të tëra për të aplikuar për subvencione në ditën e parë të hapjes së këtyre aplikimeve.
Sipas ministrisë së Bujqësisë kush aplikon i pari përfiton më shpejt, ndaj ata u dyndën nëpër zyrat e posaçme për të kryer procesin.
"Unë do aplikoj për naftë edhe për blegtorinë. Do presim."
"Do aplikojmë për naftën e tokës, vjet e morëm, këtë vit të shikojmë."
Dhjetëra fermerë në Fier thanë se kanë orë që presin ndërsa nuk dihet kur ky portal do të bëhet funksional.
"Nuk ka sistem dhe do na sorollatin. Kemi që në orën 07:00 të mëngjesit. Presim se çfarë do bëhet."
"Thonë s'ka internet."
Përfaqësues të zyrës së aplikimeve thanë se fermerët duhet që të presin derisa sistemi të jetë gati në mënyrë që të nisin aplikimet.
"Sot është dita e parë dhe janë mbi 30 mijë në gjithë Shqipërinë dhe prandaj është bllokuar çdo gjë. Ne nuk kemi çfarë njoftimesh lëshojmë, do zgjasë deri muajin tjetër."
Aplikimet për subvencione do të bëhen nga data 25 shkurt deri me 25 mars.

