Me kanabis drejt Korfuzit, arrestohen 2 të rinj në Sarandë, 1 në kërkim

Dy të rinj të cilët tentuan të trafikonin lëndë narkotike në drejtim të Korfuzit janë kapur në flagrancë nga Policia Kufitare e Sarandës dhe janë arrestuar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 6.5 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe automjeti me të cilin u transportua lënda narkotike drejt Ksamilit.

Në kuadër të operacionit "Ishulli" u bë arrestimi i shtetasve  E. M., 21 vjeç dhe M. G., 18 vjeç. Gjithashtu policia bën me dije se u shpall në këkrim shtetasi N. B.

"Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë drejt Korfuzit, lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, me një pedalon."

Shtetasit E. M. dhe M. G. janë kapur në flagrancë nga Policia Kufitare, në afërsi të pikës së vrojtimit të Marinës, në zonën e plazhit “Pema e Thatë”, ndërsa shtetasi N. B. ka transportuar me automjet lëndën narkotike në drejtim të Ksamilit dhe kur ka konstatuar se po ndiqej nga Policia, ka braktisur mjetin dhe është larguar.

Në cilësinë e provës materiale janë sekustruar 6.5. kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2 aparate celulare dhe automjeti tip “Toyota” me të cilin po transportohej lënda narkotike në bregdetin e Ksamilit.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” të kryera në bashkëpunim.