Bashkia Tiranë “ha” edhe te konviktet, 2 tendera për furnizimin me ushqime pa asnjë konkurrent
Bashkia Tiranë dhe institucionet në varësi të saj vijojnë të zhvillojnë tendera që sinjalizohen me flamur të kuq nga Agjencia e Prokurimeve Publike. Dy nga 4 procedurat për furnizimin me ushqime për konviktet e shkollave të mesme, rezultojnë se janë zhvilluar në mungesë të konkurrencës.
Bashkia e Tiranës ka zhvilluar së fundi dhe dy tendera të tjerë të sinjalizuar me flamur të kuq për mungesë konkurrence. Bëhet fjalë për 2 procedura të Drejtorisë së Konvikteve të Shkollave të Mesme për blerje ushqimesh me një fond limit prej 7.2 milionë lekësh në total.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike, në të dy procedurat rezulton se ka marrë pjesë vetëm nga një subjekt që më pas janë shpallur dhe fitues pasi nuk kanë pasur asnjë konkurrent përballë.
Ajo çfarë vihet re nga dokumentet është se për 10 ditë Bashkia e Tiranës ka zhvilluar 4 tendera për furnizimin me ushqimeve të konvikteve të shkollave të mesme. Ku fitues janë shpallur 3 kompani, njëra dy herë, në një prej të cilave pa asnjë konkurrent.
Kështu në tenderin me objekt blerje buke ka marrë pjesë vetëm operatori “DAJTI PARK 2007” sh.p.k me pronar Lulzim Qefalia dhe Desart Kalaja, i cili automatikisht ka arritur të sigurojë dhe kontratën. Gjithashtu “DAJTI PARK 2007” ka fituar edhe tenderin për blerjen e frutave.
Me flamur të kuq është shënuar edhe tenderi për mishin, dhe bulmetet me fond limit 5.7 milionë lekë. Sërish, konstatohet mungesë konkurrence, pasi i vetmi operator ekonomik që mori pjesë në garë rezulton Gerti shpk., me pronar Elgert Laskajn.
Denoncimet për tendera pa garë dhe sinjalizimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike për shkelje të procedurave nga ana e Bashkisë Tiranë dhe në institucionet e varësisë duket se nuk kanë asnjë ndikim për kryebashkiakun Erion Veliaj.
