Opozita mbyll hetimet për Incineratorët, Tabaku: Dëshmitarët nuk mbanin mend si u realizuan kontratat, PD ka bërë maksimumin

Kryetarja E Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku bëri me dije se ditën e sotme, 25 shkurt është mbledhja e fundit e këtij Komisioni dhe fundi i hetimeve.

Nënkryetarja e PD-së tha se Komisioni u përball me pengesa të shumta, por megjithatë i arriti të sjellë një panoramë të qartë të asaj që ka ndodhur. 

Tabaku: Unë besoj që ky komision ka pasur shumë pengesa, ka pasur pengesat e mosjelljes së dokumenteve, pengesa të gjata proceduriale gjatë dëshmive, por unë nuk besoj që opozitës dhe PD i ka mbetur diçka për të bërë në këtë Komision sepse ka bërë maksimumin.

Ajo u shpreh se dëshira e PD ishte që ky komision të vazhdonte hetimet dhe të kishte më shumë kohë.

Tabaku: Nuk arritëm dot të gjejmë një dakordësi për këtë çështje. Java e fundit ishte shumë e ngjeshur me dëshmitarë, informacione dhe dosje voluminoze të cilat i kanë ardhur këtij Komisioni. Ne jemi akoma në pritje për të marrë të dhënat TIMS të personave të përfshirë në hetim.

Mbledhja e fundit e Komisionit Hetimor

Tabaku: Çështja e incineratorëve është ngritur nga PD në vitin 2016. Kjo çështje filloi të bëhet publike me denoncimet e medieve. Në shkurt 2018 PD ka bërë një interpelancë me ministrin Gjiknuri për këtë çështje. I gjithë Parlamenti u ngrit në këmbë për të mbrojtur këto 3 kontrata konçensionare me vlerë 430 mln euro. PD në mënyrë të përditshme ka denoncuar pagesat që i shkonin këtyre kontratave dhe media ka ndihmuar në zbardhjen e lidhjeve të ministrave me personat e përfshirë. Të gjithë kemi parë se si dëshmitarët kanë dhënë dëshminë e tyre dhe kanë treguar pjesa më e madhe e tyre, përfshirjen e tyre, faktin se si askush nuk mban mend se si këto kontrata janë hartuar dhe zbatuar, se si askush nuk mban përgjegjësi për kontrollin financiar, auditin e këtyre kontratave, se si të gjithë kanë harruar, nuk dinë, nuk kanë parë, nuk mbajnë mend se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të ndërtimit dhe hartimit të incineratorëve.

Më e rëndësishmja gjatë këtyre 3 muajve ne kemi parë mbrojtjen politike që i është bërë 3 kontratave koncensionare me vlerë 430 mln euro e cili kulmoi në ditën e martë me dëshmitarin e fundit, zotin Edi Rama. Nuk ndodh siç tha Edi Rama, që të firmoset diçka pa ditur stafi i tyre. Nuk ndodh që askush mos ketë parë, dëgjuar se çfarë ndodh.

Morëm dëshmi të rëndësishme dhe dua të veçoj atë të kryetarit të bashkisë. Zoti Veliaj tha se ka marrë një angazhim pa pasur një vendim të Këshillit Bashkiak, ka nënshkruar një kontratë me pjesën takuese të bashkisë, 91 mln pa pasur një vendim të këshillit bashkiak dhe kjo është shkelja më e rëndë që i është bërë pushtetit lokal.