Kërkojnë shpronësim për banesat, banorët bllokojnë kryqëzimin e ''5 Majit'', policia tenton ti largojë me forcë

Të mbetur pa zgjidhje, banorët e zonës së "5 Majit" , banesat e të cilëve u shemben për shkak të projektit të rindërtimit dolën sërish mbrëmjen e sotme në protestë.

Bashkë me ta edhe banorë të Laprakës dhe Paskuqanit që preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Ata bllokuan për disa minuta qarkullimin e mjeteve në kryqëzimin e "5 Majit". Kjo krijoi tensione mes tyre dhe policisë për të zhbllokuar trafikun, duke tërhequr disa prej banorëve.

Por ka qenë e pamundur për ti zhvendosur të gjithë banorët që janë ulur në rrugë.

Kërkesa e banorëve mbetet e përsëritur, shpronësim të pronave të tyre me çmimin e tregut.

Ata u larguan pas disa minutash qëndrimi në rrugë me zotimin se do të jenë cdo ditë në protesta derisa të marrin zgjidhje për problemin e tyre.