Shteti i harron, dimri i izolon, fshati Shipskë në Voskopojë pa asnjë shërbim
Fshati Shipskë vetëm 6 kilometra nga Voskopoja duket se është braktisur totalisht, dikur me 70 familje sot kanë mbetur vetëm 7 prej tyre.
Këta të moshuar takohen çdo ditë me njëri-tjetrin në një nga rrugët e fshatit të harruar.
Këtë dimër duket se ata pak banorë të mbetur, janë të moshuar, ndërsa pjesa tjetër ka emigruar jashtë shtetit.
"Tani kanë ikur në emigracion. Disa shtëpi kanë rënë."
Reshjet e dendura të borës gjatë kësaj jave në juglindje, kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e banorëve, të cilët do tu duhet të ecin për disa orë për të përfunduar nevojat në Voskopojë.
"Ilaçet duhtet t'i marrim Korçë. Këtu kemi mbetur pensionistë, pensionin e marrim në Voskopojë. Është vështirësi e madhe se të shkosh 1 orë e 15 minuta dhe 1 orë e 15 minuta të kthehesh."
"Unë shkoj në Voskopojë marr pensionin, dal në orën 07:00 dhe kthehem në 14:00. Shkoj me mushkë se në këmbë nuk shkoj dot."
Shqetësimi më i madh mbetet mungesa e një mjeku ose infermieri.
"Nëse sëmuremi ne nuk na vjen doktor as infermier. Të paktën të vijë 2 herë në javë, duhet të zbresësh poshtë, makina s'ka. Është e vështirë."
Braktisja e fshatrave në Shqipëri është një fenomen shqetësuar vitet e fundit, ndërsa dhjetëra të tillë në të gjithë vendin po mbesin pothuajse pa njerëz.
