Zbardhja e vrasjes së Endri Mustafës drejt dështimit, Lici dorëzon në gjykatë pamje filmike se natën e krimit ka qenë në Tiranë

Dosja penale, që bën fjalë për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër,ka hyrë në një “vorbull” juridike, duke çuar drejt një dështimi total të institucioneve ligjzbatuese, përballë dy të pandehurve Ibrahim Lici dhe Ergys Malja.

Ky i fundit prej 1 muaji, ka deklaruar në seancë gjyqësore, se është tërhequr nga dëshmia e tij dhe bashkëpunimi me prokurorinë, pasi sipas tij ai ishte gënjyer dhe detyruar nga prokurori i çështjes gjatë fazës së marrjes së deklarimit me shkrim në polici.

Në të njëjtën kohë në gjykatë, është “shfaqur dhe zëri” i të pandehurit tjetër, Ibrahim Lici, që ndodhet në arrati, duke treguar pretendimet e tij rreth kësaj vrasje.

Nëpërmjet avokatit mbrojtës, Ilir Murati, Ibrahim Lici nga arratia ka pretenduar dhe dorëzuar në gjykatë një USB-ë me pamje filmike se mbrëmjen e 15 Majit 2021, kur ka ndodhur vrasja,  ai ndodhej me 4 shokë të tij në një resort në Tiranë dhe se nuk ka qenë fare në Shkodër.

Pamjet filmike janë dorëzuar në cilësinë e provës, ndërsa është ende e paqartë se çfarë qëndrimi do të mbajë gjykata për këtë argument.

Ibrahim Lici, ka pretenduar se pasi ka kaluar natën në hotelin në Tiranë, në datën 16 Maj, së bashku me shokët është larguar në drejtim të Vlorës, ku ka qëndruar sërisht në një hotel, pamjet filmike të së cilit gjithashtu i ka dorëzuar si provë.

Njëherësh gjatë fazës së hetimit sipas dosjes htimore në pyetje për ngjarjen e vrasjes së Endri Mustafës, është marrë dhe e dashura e Ibrahim Licit, e cila ka shpjeguar se Ibrahimi ka qenë në 15 maj nën shoqërinë e saj dhe 4 shokëve në ambjentet e një resorti në Tiranë.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, prokurorët pretendojnë se dy të pandehurit Ergys Malja dhe Ibrahim Lici, kanë marrë pjesë direkt në vrasjen e Endri Mustafës, ku Malja ka shërbyer si njeriu që e ka thirur dhe nxjerrë nga shtëpia duke e drejtuar në zonën e Livadhes.

Ndërsa tjetri, Ibrahim Lici, e ka qëlluar me 6 plumba pistolete.

Para se të vritej, Mustafa është dhunuar dhe më pas ekzekutuar, duke u qëlluar dhe me një plumb në gojë.

Aktualisht, Lici vijon të jetë në kërkim nga policia dhe po gjykohet në mungesë.