Ministria e Jashtme thirrje shqiptarëve në Ukrainë: Ikni sa më parë. Mos udhëtoni drejt Ukrainës
Shqipëria i bashkohet vendeve që u kanë kërkuar shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.
Përmes një deklarate për mediat Ministria e Jashtme e Shqipërisë thekson se është duke ndjekur me kujdes zhvillimet pranë kufirit me Rusinë.
Duke marrë parasysh rrezikun e besueshëm të përshkallëzimit të situatës, MEPJ këshillon të mos udhëtohet drejt Ukrainës.
Gjithashtu, i bën thirrje që të largohen nga Ukraina sa më parë.
Qytetarët e Republikës së Shqipërisë që ndodhen në Ukrainë mund të kontaktojnë për asistencë në numrat: +48 22 824 14 27; +48 501 194 910; ose në adresat e emailit:
[email protected]; [email protected]
Vetëm pak ditë më parë presidenti Ilir Meta ka zhvilluar takim me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj. Tema e diskutimit ishte kërcënimi i një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës, duke e cilësuar se do të ishte një shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare.
Nga ana tjetër NATO në analizën e bërë nënvizon kontributin e vendeve të Ballkanit për një organizatë të hapur teksa shton se nuk do ti nënshtrohet presionit.
NATO ka thënë se përmes procesit të zgjerimit të kësaj aleance ushtarake nuk u bëhet presion shteteve të caktuara që të bëhen anëtare, porse zgjerimi më shumë është një proces i bazuar në parimin e “dyerve të hapura” për të gjithë ata që duan të anëtarësohen dhe janë të gatshëm t’i përmbushin kriteret, thuhet në document duke iu përgjigjur rusisë e cila ka vendosur mbi 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën.
Qytetarët shqiptarë ftohen që të informohen përmes kanaleve të komunikimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

