U prish nga tërmeti, Laçi prej 2 vitesh pa spital, qytetarët marrin shërbimin në një qendër sociale
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dëmtoi rëndë dhe e nxori jashtë funksionit edhe Spitalin e Laçit. Prej asaj kohe i gjithë rrethi i Kurbinit nuk ka një spital, ndërsa aktivistët atje denoncojnë faktin e mungesës së transparencës se kur do të jetë gati godina e re.
Prej më shumë se dy vitesh spitali i Laçit është jashtë funksionit.
I dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, Spitali u vendos që të mbyllet.
Prej asaj kohe urgjenca është vendosur në një qendër bamirësie.
"Ne u akomoduam dhe filluam të vazhdojmë punën e shërbimit të urgjencës e cila ka vazhduar çdo ditë pa ndërprerje."
Nga ana tjetër shoqëria civile atje denoncon faktin e vonesave pa kuptim të ndërtimit të spitalit të ri.
"Edhe pse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë qytetarët janë të detyruar që shërbimet spitalore t'i marrin drejt Tiranës apo Lezhës. Ka kosto shumë të larta dhe nuk e dimë akoma sa do të zgjasin këto punime, kur do të përfundojë ku spital i cili ishte lajmëruar që do të përfundonte brenda një afati 4 mujor."
Aktivistët thonë se godina e re po ndërtohet me mungesë të plotë të transparencës.
"Sa shërbime do të ofrohen, cilat do të jenë shërbimet që do të ofrohen, sa do të jetë kapaciteti i atij spitali? Të gjitha këto vazhdojnë të mbeten enigma."
Spitali i laçit ku marrin shërbim më shumë se 60 mijë qytetarë të Kurbinit u mbyll në nëntor të 2019 për shkak se tërmeti e dëmtoi rëndë atë, ndërsa prej asaj kohe qytetarët marrin shërbim të specializuar në Lezhë ose Tiranë.
