"Kush bën dëmin, paguan faturën", Drafti i PD-së: Dëmi i Administratës nga vendimmarrjet 280 milionë dollarë

Vendimmarrjet e gabuara në administratën publike i kanë sjellë buxhetit të shtetit një faturë prej afro 300 milionë dollarë. Për të rregulluar këtë fenomen, opozita propozon që kushdo punonjës i administratës, të paguajë personalisht faturën financiare të dëmit që ata shkaktojnë me vendimmarrjen e tyre. 

Dëmi ekonomik i shkaktuar nga zyrtarët publikë për vitin 2019 është përllogaritur rreth 280 milionë dollarë.

Është ky argumenti i deputetit të Partisë Demokratike, Bujar Leskaj që e ka nxitur të depozitojë në Kuvend një projektligj që parashikon rikuperimin financiar të shkaktuar nga një vendimmarrje e gabuar.

Për rikuperimin e dëmit financiar Leskaj në draftin e tij propozon vënien para përgjegjësisë të nënpunësve publikë që shkaktojnë një dëm ekonomik, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, duke i detyruar ata të shlyejnë personalisht faturat financiare të gabimeve që ata shkaktojnë gjatë ushtrimit të detyrës.

Në relacionin bashkëngjitur draftit, Leskaj thekson se mundësia e arkëtimit të dëmeve të shkaktuara nga punonjësit publik është mjaft e komplikuar, pasi aktualisht vetëm Gjykatat mund të japin një verdikt mbi përgjegjësitë e tyre.

Ndërkohë që në dokument thuhet se instituti i përgjegjësisë materiale në Shqipëri nuk ekziston dhe e ka unifikuar këtë me përgjegjësinë civile.

Ndërkohë që arkëtimi nëpërmjet procedurave gjyqësore bart një kosto të lartë dhe kërkon një kohë shumë të gjatë. Për këtë arsye është menduar që zyrtarët të vihen para përgjegjësisë dhe t’u mbahet dëmi i shkaktuar nga paga në mënyrë që të rikuperohen shumat pa pritur vendimet e gjykatës.

Referuar relacionit kjo mënyrë do të sjellë një zgjidhje të këtyre konflikteve në mënyrë të shpejtë, të drejtë dhe në funksion të interesit publik dhe punonjësve nuk do t’i hiqet e drejta të ankimojnë vendimin në gjykatë.

Projekti sjell gjithashtu disa risi në fushën e përgjegjësisë financiare duke klasifikuar llojet e kësaj përgjegjësie. Kështu përveç përgjegjësisë së plotë, e cila përfshin dëmin e shkaktuar dhe fitimin e munguar, projektiligji zhvillon koncepte të reja të përgjegjësie financiare si përgjegjësinë e kufizuar, përgjegjësinë e përbashkët, përgjegjësinë specifike të zyrtarëve publike dhe përgjegjësinë e rënduar.

Kjo lloj përgjegjësie i referohet shpërblimit të dëmit në një masë nga 5-10 herë mbi vleftën e plotë të tij, për shkak të karakterit sensitiv.