Mafia e incineratorëve nis kërcënimet, nënkryetarja e LSI-së për Tiranën padi në polici
Nënkryetarja e LSI-së për Tiranën, Brisida Shehaj, ka marrë kërcënime pas denoncimit publik të qeveritarëve dhe klientëve të tyre të përfshirë në aferën e madhe korruptive të incineratorëve. Të enjten e ftuar në një studio televizive Shehaj akuzoi me emra përfituesit bashkë me shumat e parave që kishin marrë. Çështjen në fjalë, Shehaj e ka referuar në polici të premten, 11 shkurt.
Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën, Brisida Shehaj, ka marrë kërcënime pas denoncimit publikisht me emra dhe fakte, të qeveritarëve dhe klientëve të tyre të përfshirë në aferën e madhe korruptive të incineratorëve.
Kërcënimet kanë ardhur pas pjesëmarrjes së saj për këtë çështje në emisionin “Opionion”, ku Shehaj u ngrit dhe akuzoi me emra, përfituesit bashkë me shumat e parave që kishin marrë, siç cilësohet edhe në procesverbalin e mbajtur më 11 shkurt 2022.
Në kallëzimin e veprës penale këtë të premte në polici, Shehaj thekson se në emision u paraqitën disa dokumente dhe indicie nga ana e saj ku përfshiheshin emra konkretë.
Shehaj ka sqaruar se këto dokumente jaën paraqitur më herët në prokurori dhe procesi vijon ende, ku ajo dhe kolegët e saj në LSI po bashkëpunojnë në mënyrë aktive për zbardhjen e kësaj skeme, duke shtuar kallëzimet sa herë që vihen në dijeni për fakte apo indicie të reja.


