Xhafaj kritik: Vettingu probleme me ritmin, ka raste hakmarrjeje dhe gjykim me dy standarde

Nga salla e Kuvendit, ish-ministri i Brendshëm dhe një nga hartuesit e Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj u shpreh se përgjegjësia kryesore për këtë reformë i takon mazhorancës.

Ndërkohë, Xhafaj nuk i ka kursyer kritikat për këtë proces duke thënë se procesi ka shfaqur probleme dhe se dukuri të caktuara meritojnë probleme.

Ai theksoi se raportohet se ka probleme me ritmin, me shpejtësinë për çështjet prioritare, me vonesat e pajustifikuara në afatet e gjykimit deri edhe zvarritjen e qëllimshme për disa prej tyre.

Xhafaj shtoi se dukuri të tilla nuk e zhbëjnë qëllimin dhe arritjet e rëndësishme të Vettingut, por meritojnë të analizohen dhe gjykohen me përgjegjësi e maturi

Xhafaj: Padyshim përgjegjësia e parë dhe kryesore për zbatimin e reformës në drejtësi, na mbetet ne mazhorancës. Qytetarët na votuan në 2017 për inicimin, drejtimin dhe koordinimin shembullor të kësaj reforme dhe përsëri në 2021 ata na ribesuan për një mandat të tretë ndër të tjera edhe me shpresën se reformës do t’i shkohet deri në fund dhe zbatimi i saj do të eci në frymën dhe germën e shkruar, standardet dhe qëllimet e përcaktuara.

Padyshim ne kemi bërë shumë në këtë proces, por lipset të bëjmë akoma edhe më shumë për të vazhduar një proces Vettingu me ritëm më të lartë, me standarde të harmonizuara dhe kryesorja me integritet dhe objektivitet. Procesi ka shfaqur edhe probleme e dukuri që meritojnë vëmendje.

Raportohet se ka probleme me ritmin, me shpejtësinë për çështjet prioritare, me vonesat e pajustifikuara në afatet e gjykimit deri edhe zvarritjen e qëllimshme për disa prej tyre. Ashtu sikundër ka perceptime kryesisht apo edhe akuza publike për disa komisionerë për cenim të paanshmërisë e objektivitetit, për gjykimin me dy standarde, nënshtrim ndaj presioneve, etj. ONM mund e duhet të luaj një rol shumë më proaktiv në gjykimin dhe ndëshkimin e praktikave të tilla.

E vlerësoj shqetësues faktin që për disa komisioner për efekt hakmarrjeje dhe shantazhi janë inicuar kallëzime penale që mbahen prej muajsh pa veprime dhe përmes tyre tentohet të ndikohet për vendimmarrje të caktuara. Ju kërkoj publikisht institucioneve përgjegjëse (ILD, PP, SPAK, KLP) të monitorojnë me kujdes këto praktika dhe të përdorin gjithë instrumentet e nevojshme për të frenuar praktika të tilla korruptive dhe abuzimi nga prokurorë të veçantë.

Këto dukuri në asnjë rast nuk e zhbëjnë qëllimin dhe arritjet e rëndësishme të Vettingut, por meritojnë të analizohen dhe gjykohen me përgjegjësi e maturi si domosdoshmëri për të përmirësuar më tej këtë proces në pjesën e mbetur të tij, por edhe si reflektim për kohën post-vetting që të parandalojmë rishfaqjen e fenomeneve të tilla në të ardhmen.