"Pa brekë i gdhiu dita e zengjin i zuri darka", Gjermarkaj: Shqiptarët kanë parë bandat e hajdutëve të pasurohen me para publike
"Nëse nuk respektohet drejtësia çfarë janë shtetet," kështu u shpreh deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj nga Foltorja e kuvendit duke ju referuar reformës në Drejtësi. Opozita e përfaqësuar nga Lulzim Basha vendosi që të votojë pro zgjatjes së mandatit të organeve të vetingut deri korrik të vitit 2024.
Gjekmarkaj: Shqiptarët janë dëshmitarë të mëdhenj të fatit të tyre, ata i kanë parë këto banda t'i grabisin natën, ditën, t'i vjedhin pronën, votën, t'i mbyllin gojën. Ata i kanë parë këta hajdutë të pasurohen me para publike, të bëhen kryetarë komunash, ministra, deputetë, nga dekada në dekadë. E kanë parë Shqipërinë të bjerë pre e barbarisë urbane. Ata kanë parë se si pa brekë i gdhiu dita e zengjin i zuri darka.
Prej 5 vitesh me nxitjen e SHBA dhe BE në vend ka filluar reforma në drejtësi e cila po ecën ngadalë nën një presion politik të vazhdueshëm për të qenë e kapur dhe nën kontroll politik. Presionet, tentakulat, kapjet e kanë vonuar procesin dhe rezultatet e tij. Reforma në Drejtësi duhet. Nëse ka diçka që e rrezikon drejtësinë pas korrupsionit është injoranca. Vetingu sot ka objekt materien, sa makina, para, vila, prona, tepria e të cilave është abuzim duhet goditur.
Deputeti u shpreh se PD nuk e ka penguar reformën në drejtësi dhe nuk e pengon vetingun. Por PD denoncon të gjitha përpjekjet që kjo reformë t'i shërbejë vetëm një njeriu.
