I ndan Vetingu, Berisha: Marrëveshje nën rrogoz. Salianji mbron Bashën: Me çfarë ta luftojmë Ramën?
“Zgjatja e afateve të Vetingu” është beteja e parë politike që vendos përballë në Kuvend PD-në e Bashës dhe Sali Berishën.
Berisha akuzon Bashën se bashkëpunon me Ramën dhe vota pro e vetingut është një provë. Madje për ta vërtetuar në foltore publikoi dhe një video ku Basha deklaronte se "projekti i vetingut është një projekt mafioz ku janë të përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës” ndërkohë që sot PD thotë se do japë votën pro për zgjatjen e vetingut për hir të integrimit të vendit.
“Do të bëjmë gjithçka aq më shumë t’i japim shanset një drejtësie që të korrigjohet, të ngrihet në këmbë dhe të shkundet nga frika e t’ju hedhë prangat çdokujt që shkel ligjin”
Berishës nuk iu përgjigj Basha por deputeti demokrat Salianji
Seanca vijon prej orës 10:00 në kuvend
Deputeti demokrat, Ervin Salianji u shpreh në Kuvend se vota kundër zgjatjes së afateve të mandateve të vetingut në të vërtetë i shërben vetëm Edi Ramës. Nuk munguan replikat nga ana e Sali Berishës i cili nuk e kurseu Bashën as në Pralament.
Berisha: Nëse vazhdohet të mashtrohen qytetarët shqiptarë në mënyrën më të paskrupullt për një reformë e cila i privoi nga e drejta themelore e një procesi gjyqësor të drejtë, në qoftë se vazhdohet të lyhen dhe të lëpihen dështime të tilla faturën e paguajnë qytetarët dhe jo zyrtarët. Nëse vazhdohet me fjalë të sipërfaqshme ndërkohë që vazhdojnë marrëveshjet nën rrogoz, kreu i Meduzës me peng Bravën kjo seancë duhet të ndërpritet sepse është nëj hipokrizi e madhe ndaj qytetarëve shqiptarë. Këtu flitet për një proces që u përdor nga kreu i Meduzës me Agaçion e tij si armë e tmerrshme për gjahun e shtrigave. Eleminimi nga sistemi gjyqësor mbi bazë krahinore, fetare dhe bindjesh politike. Kjo ka sjellë një katastrofë që do 20 vite për tu riparuar. A e dini ju që vetëm 24% e shqiptarëve i besojnë reformës në drejtësi? Ndërprisni diskutimet dhe votoni por mos përdorni mikrofonet për të mashtuar qytetarët shqiptarë.
Salianji: Nëse dikush duhet të ketë përgjegjësi në këtë sallë për dështimet e reformës në drejtësi, për dhënien George Soros, për çdo centimetër që kontrollon Edi Rama të reformës në drejtësi duhen gjetur te ajo pjesë që e kanë votuar dhe që ka zgjedhur madje gjysmat e komisionerëve të vetingut që janë sot dhe një pjesë e deputetëve janë aty dhe thonë që kjo i shërben Edi Ramës. Ramës i shërben të thuash që ONM të mos ketë asnjë askes, BE të mos ketë më asnjë akses, SHBA të mos ketë më akses etj,. Me çfarë ta luftojmë Ramën? Me mullionjtë e erës?
Berisha doli sërish në foltore dhe nxori videon e Bashës i cili thotë se "projekti i vetingut është një projekt mafioz ku janë të përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës, kanë marrë peng ekspertët e BE në Tiranë. Ama komploti është zbuluar."
Berisha: Dua ta sqaroj pak këtë zotërinë. Kemi qenë për vetingun ne dhe jemi, por jo për armë gjahu. E di ti, por të intereson gjysma e pengut dhe gjysma e bravës. Ka qenë marrëveshje që ligjet organike do votoheshin me konsensus. PD sot është kundër, është opozita e vërtetë shqiptare dhe jo ju që votoni. Ja ku është deklarata e tij. Sot bëni sikur s'jeni më ata. Ligjet u votuan pa PD. Kjo është e vërteta!
