Frikë nga kolera në Afrikë,32 viktima brenda 2 muajsh
Tridhjetë e dy njerëz kanë vdekur brenda 2 muajve, nga fundi i tetorit deri në fillim të janarit, në Kamerun, një vend i cili po përballet me "rishfaqjen" e kolerës , tha dje, ministri i Shëndetësisë, Manauda Malasi .
Sëmundja, e cila shkakton diarre akute dhen që mund të çojë drejt vdekjes brenda pak orësh nëse nuk trajtohet, po rishfaqet në mënyrë sporadike në vendin e Afrikës Qendrore me më shumë se 25 milionë banorë.
“Më 1 janar 2022 kishim 1102 raste dhe 32 vdekje”, tha Dr. Malasi në njoftimin e tij.
Sipas ministrit, rastet e para në "përsëritjen" aktuale të epidemisë së kolerës u identifikuan më 27 dhe 30 tetor në Kamerunin jugperëndimor dhe qendror. Që atëherë sëmundja është përhapur në tre rajone të tjera.
“Për të shmangur përhapjen e saj, duhet të respektojmë rregullat elementare të higjienës pasi kolera është sëmundje e papastërtive, jashtëqitjes”, tha në televizionin publik CRTV Dr. Linda Esso , Zëvendës Drejtoreshë e Departamentit të Epidemive dhe Pandemive në Ministrinë e Shëndetësisë.
Shpërthimi i mëparshëm i kolerës në Kamerun, nga janari deri në gusht 2020, mori jetën e 66 personave, sipas shifrave zyrtare.
Në fillim të vitit 2021, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerësoi se çdo vit në mbarë botën regjistrohen rreth 1.3 dhe 1.4 milionë raste me kolerë dhe 21,000 deri në 143,000 vdekje nga kjo sëmundje./Ora News/
