Iu vendos tritol në nëntor, arrestohet noterja në Tiranë, akuzohet se vodhi qytetarët
Noterja Rezarta Koçi është arrestuar pasi akuzohet se gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm. Në 6 nëntor të vitit 2021 kësaj notereje iu vendos tritol në makinë.
Operacioni u kodua “Noterja”, dhe u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Hetimi ndaj noteres ka zgjatur për disa muaj deri ditën e sotme, 4 shkurt kur u finalizua operacioni "Noterja."
"Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm," informon policia e Tiranës.
Noterja 40-vjeçare akuzohet për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën".
Pas arrestimit të noteres Rezarta Koçi, dosja ndaj saj është referuar për hetime në prokurori ndërkohë që 40 vjeçares iu vendos edhe një sasi lënde plasëse në banesë në 6 nëntor të vitit të kaluar.
Dyshohet se shkak i sulmit kanë qenë pikërisht abuzimet e të arrestuarës me detyrën pasi ndaj saj ka pasur të paktën 4 denoncime për vjedhje.
